nën72018
Kirurgjia bariatrike. Më pak komplikacione kardiovaskulare, por jo efekte afatgjata
Pacientët shumë obezë e me diabet, që i nënshtrohen kirurgjisë bariatrike, paraqesin një rrezik dukshëm më të ulët për komplikime kardiovaskulare sesa ata që ndjekin trajtime të zakonshme, sipas një studimi të publikuar në "JAMA". Një tjetër studim i botuar në të njëjtën revistë, merr në konsideratë mundësinë e rifitimit të peshës pas operacionit, duke sjellë për këtë arsye një shtim të faktorëve të rrezikut.
Grupi i David Fisherit (Kaiser Permanente, Kaliforni), studioi 5,301 pacientë të trajtuar me kirurgji bariatrike në periudhën 2005-2011. Një vit pas operacionit, normat e sëmundjeve makrovaskulare ishin 40% më të ulëta tek ata që i ishin nënshtruar kirurgjisë, krahasuar me kontrollet e paoperuara. Pacientët që iu nënshtruan kirurgjisë kishin gjithashtu një rrezik 36% më të ulët për sëmundje koronare të zemrës, ndërsa incidenca e sëmundjes cerebrovaskulare nuk ishte dukshëm e ndryshme në mes të grupeve.
Adam Sheka (Universiteti i Minesotës në Mineapolis) dhe kolegët, theksojnë në një editorial se prej kohësh dihet që operacioni bariatrik përmirëson sëmundjen mikrovaskulare dhe që tani, pas demonstrimit të një reduktimi të ndjeshëm edhe të ngjarjeve të sëmundjeve makrovaskulare, duhet të shihet si një alternativë e barnave për diabet të tipit 2.
Wendy King (Universiteti i Pitsburgut, Pensilvani) me grupin e saj, ka dokumentuar rifitimin e peshës që mund të pritet pas kirurgjisë bariatrike te 1,406 pjesëmarrës. Pesë vjet pas arritjes së peshës më të ulët, 43.6% e pjesëmarrësve kanë rifituar të paktën pesë pikë në Indeksin e Masës Trupore dhe një vit pas arritjes së peshës më të ulët, 9.9% e pacientëve ka treguar shenja të përparimit të diabetit, 25.8% kishin një progresion të hiperlipidemisë dhe 46.4% një përkeqësim të hipertensionit. Në pesë vjet, prevalenca e diabetit është rritur në 35.3% dhe 68.4% dhe 71.5% e pacientëve paraqisnin, përkatësisht, hiperlipidemi dhe hipertension.
Megjithatë, në një editorial shoqërues, Amir Ghaferi dhe Oliver Varban, që të dy nga Universiteti i Miçiganit në Ann Arbor, theksojnë se kirurgjia bariatrike mbetet trajtimi më efektiv për obezitetin dhe problemet e lidhura me të dhe se pesha e rifituar pas ndërhyrjes, nuk mund të shoqërohet me pasojat e sëmundjes.
JAMA 2018. doi: 10.1001/jama.2018.14619
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2707461
JAMA 2018. doi:10.1001/jama.2018.14639
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2707442
JAMA 2018. doi: 10.1001/jama.2018.14433
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2707460
JAMA 2018. doi: 10.1001/jama.2018.14241
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2707439