Pediatri

kor12021

Covid-19. Sëmundjet kronike në moshë pediatrike mund të përkeqësojnë infeksionin

Një studim i kryer mbi lidhjen mes sëmundjeve kronike dhe shtrimeve në spital për COVID-19, që sapo është botuar në "JAMA Network Open" tregon se shanset e shtrimit në spital për shkak të sindromës respiratore akute të rëndë nga COVID-19 mes pacientëve nën 18 vjeç, rriten pothuajse tre herë tek individët që vuajnë nga sëmundje komplekse kronike si diabeti tip 1, obeziteti mbi shkallën e dytë dhe anomalitë kongjenitale kardiake dhe të qarkullimit të gjakut. Për të arritur në këto përfundime, studiuesit, të udhëhequr nga autorja kryesore Lyudmyla Kompaniyets (Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Atlanta, Xhorxhia), analizuan të dhënat e mbledhura nga më shumë se 800 spitale të SHBA-së dhe të regjistruara në bazën e të dhënave Premier Healthcare. Midis 43,465 pacientëve me COVID-19 të moshës 18 vjeç ose më pak, moshë mesatare 12 vjeç, 22,943 (52,8%) ishin vajza dhe 12,491 (28,7%) kishin sëmundje të tilla si astma, diabeti, ankthi, çrregullimet e zhvillimit neurologjik çrregullime depresive dhe obezitet.

"Njohuritë tona për COVID-19 në fëmijëri janë të kufizuara nga fakti që shumica e fëmijëve të infektuar me SARS-CoV-2 kanë qenë asimptomatikë ose kanë simptoma të lehta, ndërsa vetëm disa kanë pasur forma të rënda. Për më tepër, hulumtimet e mëparshme mbi faktorët e rrezikut për COVID ishin të kufizuara për shkak të numrit të vogël të mostrave që ndikuan në aftësinë për të zbuluar lidhje statistikisht të rëndësishme", shkruajnë autorët, duke shtuar se nga analiza e tyre faktorët e rrezikut më të lidhur me shtrimin në spital për COVID-19 rezultojnë diabeti i tipit 1 dhe obeziteti, ndërsa rastet e lidhura me ashpërsi më të madhe të infeksionit COVID-19 janë sëmundjet kongjenitale kardiake dhe të qarkullimit të gjakut. "Është e rëndësishme të theksohet se studimi i tipit trasversal bazohet në një grup të madh të dhënash të përbërë nga pacientë të të dyja gjinive, model që mund të kopjohet në disa vende që po grumbullojnë të dhëna të dobishme", thotë Kompaniyets, duke përfunduar se, megjithëse mekanizmat shkaktarë nuk janë identifikuar ende plotësisht, ky studim ofron tregues kryesorë mbi lidhjen mes sëmundjeve mjekësore kronike dhe COVID-19.

 

JAMA Network Open 2021. Doi:10.1001/jamanetworkopen.2021.11182


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>