Mjekësi e përgjithshme

pri272018

Trajtim i ri për përdhesin. Një produkt që mund të bëjë ndryshimin

50% e mjekëve të përgjithshëm dhe atyre specialistë besojnë se përdhesi ka si shkak kryesisht stilin e jetesës dhe se do të nevojiteshin më shumë trajnime për të njohur udhëzimet mbi trajtimin e sëmundjes. 7 qytetarë në 10 thonë se nuk kanë biseduar asnjëherë me mjekun e tyre rreth niveleve të acidit urik, monitorimit të tyre dhe rrezikut të përdhesit (cermës) dhe vetëm 1 në 2 pacientë, deklaron se ndjek terapi të vazhdueshme. Së fundi, 55% e farmacistëve thonë se përdhesi nuk njihet nga qytetarët.

Kjo është panorama që del nga një sondazh i realizuar nga EDRA, me mbështetjen e Grünenthal Italia dhe që u krye me mjekë të përgjithshëm dhe specialistë (reumatologë, kardiologë, urologë, nefrologë, ortopedë, internistë dhe geriatër), farmacistë dhe qytetarë, me një numër të përgjithshëm prej 3.200 të anketuarish.

"Këto të dhëna, thotë Leonardo Punzi, drejtor i UOC të Reumatologjisë në ndërmarrjen spitalore të Universitetit të Padovës, tregojnë nevojën për t'u thelluar në këtë temë, për të qartësuar dhe për të dhënë më shumë informacion mbi një patologji që gabimisht konsiderohet një sëmundje e së kaluarës. Për shembull, duhet të bëhet e qartë se stili i jetesës ose një dietë e ekuilibruar kontribuon në zvogëlimin e vetëm 10% të vlerës totale të urikemisë, ndërkohë që është një mënyrë për të inkurajuar marrjen e më pak barnave dhe për të shmangur faktorët që sjellin sulme akute. Më shpesh, megjithatë, shkaqet e sëmundjes janë gjenetike".

Përdhesi është një artropati inflamatore që ka si kusht predispozues hiperurikeminë (acidi i tepërt urik në gjak) dhe që "nëse nuk trajtohet, mund të ketë pasoja në nyje, në funksionin kardiovaskular dhe renal", shpjegon Punzi. Megjithatë, siç raportohet nga Gerardo Medea, mjek i përgjithshëm: "60-70% e pacientëve që vuajnë, pas rreth gjashtë muajve, kur sulmet zhduken, kanë tendencën ta ndërpresin terapinë. Ka shumë arsye për këtë vendim: nevojitet që pacientët të jenë më të vetëdijshëm për një menaxhim më të mirë të përdhesit dhe një monitorim të simptomave të ngjashme me atë që për disa, është shndërruar në një sëmundje kronike. E fundit, por jo për nga rëndësia, është se ne duhet të përmirësojmë përballjen me specialistët dhe mbi të gjitha, trajnimin e mjekëve të mjekësisë së përgjithshme".

E rëndësishme për Medean është kontributi i farmacistëve. Ata duhet të sugjerojnë testin për të kontrolluar sasinë e acidit urik në gjak (provë gjithashtu e disponueshme në farmaci); këshillimin e pacientit kur përdorimi i tejzgjatur i ilaçeve të banakut nuk ka efekt dhe së fundi, për monitorimin e respektimit të terapisë.

Ekspertët theksojnë se deri disa muaj më parë, nuk ishin në dispozicion urikosuriket, barna që shtojnë sekretimin renal të acidit urik. "Tani e tutje, në Itali është në dispozicion një gjeneratë e re e urikosurikeve, lesinuradi", shton Punzi, "i cili, ndryshe nga trajtimet e vjetra, nuk ndërhyn në sistemet e eliminimit renal të metaboliteve të trupit tonë apo me barna të tjera. Ky trajtim, që administrohet në kombinim me allopurinol-in ose febuxostatin, redukton reabsorbimin e acidit urik nga veshka në plazmë dhe korrigjon ekskretimin e zvogëluar renal të acidit urik. Duke pasur parasysh mekanizmat që çojnë në hiperurikemi, kjo është një qasje më "fiziologjike" në trajtimin e hiperurikemisë dhe përdhesit se në të kaluarën".

Me këtë bar, Grünenthal Italia hyn në një erë të re terapeutike: "Kjo zgjidhje përfaqëson një trajtim të ri për përdhesin, që na jep mundësi t'u përgjigjemi nevojave terapeutike të pakënaqura", deklaron Thilo Stadler, menaxher i përgjithshëm i Grünenthal Italia. "Jemi krenarë të vëmë në dispozicion të pacientëve tanë edhe një herë një produkt që vërtet mund të bëjë ndryshimin".


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>