qer222018
Ndryshojnë udhëzimet për tumorin kolorektal. Pse duhet të nisë parandalimi në moshën 45-vjeçare?
Në një përditësim të udhëzimeve të Shoqatës Amerikane të Kancerit (ACS), këshillohet që kontrolli për tumorin kolorektal te të rriturit me rrezik mesatar, të nisë në moshën 45-vjeçare, pesë vjet më herët nga ç'rekomandohej më parë. Rekomandimet bazohen pjesërisht në të dhënat e një kërkimi që ka raportuar një shtim të përhapjes së kancerit kolorektal te të rriturit në moshë më të re, një kundërtendencë kjo, krahasuar me të shkuarën.
Kjo përhapje mes të rriturve me moshë më të vogël se 55 vjeç, është rritur me 51% në periudhën 1994-2014, me 115 vdekje më shumë në periudhën 2005-2015. Kanceri kolorektal është tumori i katërt më i diagnostikuar në Shtetet e Bashkuara dhe shkaku i dytë i vdekjeve nga kanceri.
Nëse zbulohet dhe trajtohet në mënyrë të parakohshme, norma e mbijetesës për pesë vjet është afërsisht 70%. "Opsionet për kontrollin e kancerit kolorektal përbëhen nga teste imunokimike vjetore me analiza të gjakut okult në feçe, me sensibilitet të lartë, ose test i ADN-së multitarget në feçe çdo 3 vjet, ose kolonoskopi çdo 10 vjet, kolonografi me tomografi të kompjuterizuar çdo pesë vjet dhe sigmoidoskopi fleksibël çdo 5 vjet", shpjegon Elizabeth Fontham (Shkolla e Shëndetit Publik, Nju Orleans), që ka udhëhequr grupin e studimit.
"Është e rëndësishme të vëmë në dukje se të gjitha rezultatet pozitive të testeve të kontrollit që nuk kanë parashikuar kolonoskopi, duhet të ndiqen nga një kolonoskopi e menjëhershme".
Udhëzimet e reja përqendrohen te personat me rrezik mesatar. Individët në rrezik të lartë, mes të cilëve janë edhe ata me historik familjar tumori, një historik personal sëmundjeje inflamatore intestinale ose polipesh të diagnostikuara para moshës 60-vjeçare, duhen diskutuar me mjekët. Dokumenti paraqet me këtë rast edhe materiale të reja për të lehtësuar bashkëbisedimin mes mjekëve e pacientëve, në mënyrë që t'i ndihmojë pacientët për të vendosur se çfarë ekzaminimi është më i mirë për ta.
Autorët përfundojnë duke nënvizuar se të rriturit e shëndetshëm duhet ta vazhdojnë kontrollin deri në moshën 75-vjeçare dhe të vendosin së bashku me mjekun e tyre, për vazhdimin e mëtejshëm. ACS-ja rekomandon që pacientëve t'u ofrohet një zgjedhje testi e bazuar në opsionet më të mira që janë në dispozicion.
CA Cancer J Clin. 2018. doi: 10.3322/caac.21457
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29846947