gus132018
Kriteret e reja shkaktojnë diagnostikimin e gabuar të karcinomës së tiroides
Klasifikimi i një lloji të ri të kancerit tiroides: neoplazia folikulare jo invazive e tiroides me karakteristika nukleare të tipit papilar (NIFTP), me karakter beninj, mund të çojë drejt diagnostikimit të gabuar të karcinomës klasike papilare të tiroides (PTC), me model folikular të spikatur. Ky është rezultati i një rishikimi të studimeve të publikuara së fundi.
"Ndonëse terminologjia NIFTP është pranuar nga OBSH-ja dhe është përdorur gjerësisht në patologjinë dhe në praktikën klinike, të dhënat e fundit sugjerojnë nevojën e rregullimit të kritereve diagnostikuese për këtë sëmundje", shpjegojnë autorët e udhëhequr nga Yuri E. Nikiforov (Universiteti i Pitsburgut, SHBA), të cilët kanë shqyrtuar të dhënat e pesë studimeve retrospektive ku janë përfshirë më shumë se 500 pacientë me NIFTP.
Në tre studime, ku përfshihej një numër i përgjithshëm prej 285 pacientësh, nuk janë vënë re efekte të kundërta të lidhura me tumorin, pas një ndjekjeje mesatare me kohëzgjatje 5,8-11,2 vjet.
Megjithatë, dy studimet e tjera kanë treguar se te 4% - 6% e pacientëve me noduj që plotësonin kriteret diagnostikuese për NIFTP, janë vënë re metastaza. Kërkuesit nënvizojnë se "në kriteret diagnostikuese për NIFTP-në fillimisht u propozua të pranonin papila të vetmuara rudimetare të tipit hiperplastik, por jo papila të vërteta me karakteristika nukleare të zhvilluara mirë, si ato të vëzhguara në PTC-në klasike".
Kjo, shtojnë ata, mund të ketë çuar në diagnostikimin e tumoreve me karakteristika biologjike e klinike të PTC-së klasike si NIFTP. Nikorovi dhe kolegët deklarojnë se duan të propozojnë modifikimin e këtyre kritereve, që do të lehtësojnë përdorimin klinik jo të përshtatshëm të kësaj terminologjie dhe të menaxhimit të pacientit. Për shembull, kriteri i "papilës së paformuar mirë" duhet të përdoret në vend të atij me më pak se 1% papilë, që është vëzhguar nga ekipi. Do të duhej të bëhej një "kërkim strikt" për ekzaminimin e të gjithë kapsulës tumorale në tumoret me karakteristika nukleare të theksuara të PTC-së. Gjithashtu, thonë kërkuesit, "nëse testet molekulare apo imunohistokimike tregojnë mutacione tipike të PTC-së klasike, si Braf V600E, kjo duhet të nxisë një kërkim të plotë për tiparet invazive dhe formacionet papilare".
"Ky është një artikull shumë aktual, duke qenë se mblidhen të dhëna perspektive dhe mësohet më shumë një histori e natyrshme e NIFTP-së", thotë Kepal N. Patel (Qendra e Shëndetit Nyu Langone, Nju Jork). "Ndryshimet e propozuara në kriteret diagnostikuese për NIFTP-në janë një rezultat i drejtpërdrejtë i analizës së këtyre të dhënave. Shpresohet që ndryshime të tilla të mund të parandalojnë diagnostikime të gabuara të tumoreve më invazive, krahasuar me NIFTP-në".
JAMA Oncol, 2018 Jun 14. doi: 10.1001/jamaoncol.2018.1446. [Epub ahead of print]
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29902314