sht132018
Tuberkulozi multirezistent. Si ndryshon terapia, falë barnave të reja
Disa barna të reja për trajtimin e tuberkulozit multirezistent (MDR-TB) janë shfaqur më efektive se barnat tradicionale, sipas një studimi të ri të botuar në "Lancet". "Praktikat aktuale të trajtimit të MDR-TB-së përdorin barna të shtrenjta dhe të vjetëruara që kanë efekte anësore, siç janë të përzierat e vazhdueshme, humbja e dëgjimit dhe pamjaftueshmëria renale", shpjegon Dick Menzies (Qendra Shëndetësore e Universitetit McGill në Montreal), autori kryesor i studimit.
Hulumtuesit kombinuan të dhëna nga më shumë se 12,000 pacientë të prekur nga MDR-TB-ja të përfshirë në 50 studime të zhvilluara në 25 vende.
Falë sasisë së të dhënave të analizuara, hulumtuesit kanë qenë në gjendje të përcaktonin se barnat e gjeneratës së fundit, të tilla si: bedaquilina, linezolid, fluorokinolonet, kanë arritur rezultate të shkëlqyera në trajtimin e MDR-TB-së, duke treguar norma shërimi vazhdimisht më të mira dhe reduktim të vdekshmërisë në krahasim me trajtimet e përdorura aktualisht, si dhe kanë treguar efikasitet në trajtimin e TBC-së shumë rezistente ndaj barnave.
Analiza ka treguar gjithashtu se mund të mos jetë më i nevojshëm trajtimi i pacientëve me injeksione të përditshme, përveçse në rastet më të rënda. Në përgjigje të rezultateve të këtij studimi, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar tashmë ndryshime radikale në përputhje me këtë regjim të ri për MDR-TB-në, duke shprehur një parapëlqim për regjimet mjekësore orale. Përveç kësaj, një komision i ngarkuar për të bërë rekomandime për trajtimin e MDR-TB-së, i përbërë nga përfaqësues të Shoqatës Amerikane të Kraharorit (ATS), Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Shoqata Europiane e Frymëmarrjes (ERS) dhe Shoqata Amerikane e Sëmundjeve Infektive (IDSA) ka marrë në konsideratë informacionet e reja.
"Shpresojmë që kombinimet e reja terapeutike do të rezultojnë me norma shërimi që mund të arrijnë 90%, gjë që do të ishte e jashtëzakonshme", përfundon Menzies. "Rezultatet konfirmojnë atë që mjekët që merren me tuberkulozin në mbarë botën, e shohin me sytë e tyre. Shpresa jonë është se pas 20 vitesh regjimesh toksike, mund të kalojmë më së fundi në terapitë e reja më të sigurta, që kanë në bazë të tyre barna më të tolerueshme", shkruan në një editorial shoqërues Paul Farmer (Shkolla Mjekësore e Harvardit në Boston).
Lancet 2018. Doi: 10.1016/S0140-6736(18)31644-1
https://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(18)31644-1/fulltext
Lancet 2018. Doi: 10.1016/S0140-6736(18)32149-4
https://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(18)32149-4/fulltext