gus52024
Zbulohet qarku cerebral i efektit placebo: ofron mundësi të reja në trajtimin e dhimbjes
Mekanizmat bazë të efektit placebo prej dekadash kanë qenë mister, por tashmë është zbuluar një pjesë kyçe e enigmës së ndërlikuar që lidh mendjen me trupin. Në fakt, u identifikua qarku i trurit që aktivizohet duke lehtësuar dhimbjen, kur pritet një lehtësim i vuajtjes, duke prodhuar një efekt të dobishëm edhe nëse shkaku kryesor është ende i pranishëm.
Zbulimi, i publikuar në revistën Nature, u konstatua nga një studim mbi minjtë dhe ofron mundësi të reja mbi shfrytëzimin e këtij mekanizmi përmes barnave, neurostimulimit, ose terapive konjitive të sjelljes për trajtimin e dhimbjes në një mënyrë më efikase dhe pa efekte anësore.
Eksperimentet mbi minjtë
Për të hedhur dritë mbi këtë çështje, studiuesit e koordinuar nga Grégory Scherrer kanë projektuar një mori eksperimentesh mbi minjtë. Kafshët mësuan të bënin lidhjen ndërmjet dy dhomave me temperatura të ndryshme të dyshemesë: pasi ishin në atë me dysheme djegëse, ata e dinin se do të kalonin te ajo me temperaturë të pëlqyeshme. Pra, ata mësuan si ta presin më herët lehtësimin e dhimbjes: kjo e reduktonte në mënyrë reale nivelin e vuajtjes së përjetuar, edhe kur ndodheshin në dyshemenë jashtëzakonisht të nxehtë.
Ndërsa minjtë përjetonin efektin placebo, autorët e studimit analizuan teknika të ndryshme për gjurmimin e qarqeve të përfshira në tru. Kështu, ata zbuluan se pritshmëria e lehtësimit të dhimbjes aktivizon sinjalet e lëshuara nga konteksti anterior deri në një zonë të trungut encefalik, që deri më tan nuk mendohej se ishte e përfshirë në përjetimin e dhimbjes dhe më pas nga kjo në trurin e vogël.
"Fakti që neuronet në korteksin tonë cerebral, komunikojnë me ponsin dhe trurin e vogël për rregullimin e pragjeve të dhimbjes, ishte plotësisht e papritur, për shkak të njohurive tona të mëparshme mbi qarqet e dhimbjes, si dhe mjaft emocionuese. Të gjithë e dimë që kemi nevojë për mënyra më të mira për trajtimin e dhimbjes kronike, sidomos për trajtime pa efekte anësore të dëmshme dhe që nuk shkaktojnë varësi. Mendojmë që rezultatet tona do të sjellin mundësi të reja për aktivizimin e këtij rrugëtimi përmes instrumenteve të tjera terapeutike, me qëllim trajtimin e individëve në një mënyrë tjetër dhe me më shumë efikasitet", shpjegon Scherrer.
Rëndësia e efektit placebo
Efekti placebo është një përbërës thelbësor, shpesh i anashkaluar, i cili lidhet me kapacitetin e pacientit në kontributin e tij gjatë procesit të shërimit. Ai mund të kontribuojë ndjeshëm në efektin e medikamentit, me një efekt më të shkurtër, por që mund të zgjasë edhe me kalimin e kohës. Ai është një fenomen real, i cili ka efekte biologjike klinikisht të rëndësishme dhe demonstron se barnat janë të dobishme, por nuk janë gjithçka. Ky studim është i rëndësishëm, pasi tregon se një placebo nuk vepron drejtpërdrejt në qendrat e dhimbjes, por në ato të funksioneve cerebrale superiore, përgjegjëse për gjendjen tonë psikologjike dhe për vetëdijen tonë. Prandaj, gjendja jonë psikologjike është thelbësore në perceptimin e një simptome dhe në aderencën ndaj një terapie. Individualizimi i këtij qarku nuk është i papritur, pasi shumë studime të mëparshme i kanë evidentuar këto mekanizma, por risia e tij është përshkrimi i detajuar i asaj që ndodh në tru.
Gjithashtu, është shumë i rëndësishëm fakti që korteksi anterior, nga ku nis qarku, është një zonë që aktivizohet edhe me hipnozën e përdorur si terapi kundër dhimbjes dhe me meditimin. Pra, është një zonë që mund të përfshihet edhe pa përdorur barna.