tet92018
Mjekët e familjes, kurs për të shtuar njohuritë mbi problemet e veshkave
Shoqata e nefrologëve: Specializimi për nefrologjinë të bëhet jo 3, por 4 vjet
Sëmundjet e veshkave në popullatë duket se janë një kambanë alarmi për sistemin tonë shëndetësor. Mjekët nefrologë thonë se 10.6 % e shqiptarëve janë të prekur nga dëmtime te veshkave, deri në mosfunksionim të tyre. Shefi i shërbimit të nefrologjisë, Prof. Dr. Myftar Barbullushi, thotë se tanimë ka një studim i cili duhet të na shqetësojë të gjithëve:
"Kanë dalë tanimë të dhënat e para të check up-it ku na rezulton se 10.6% e shqiptarëve kanë probleme serioze të veshkave. Nuk bëhet fjalë për gurë në veshka, apo infeksione urinare. Kjo shifër tregon se kjo përqindje e popullsisë ka dëmtime të organit të veshkës deri në mosfunksionim të tij. 1380 pacientë bëjnë hemodializë, 300 pacientë kanë bërë transplant dhe 50 bëjnë dializë të barkut".
Profesor Barbullushi thotë se sëmundjet e veshkave lidhen me një sërë faktorësh që kanë të bëjnë me kequshqyerjen, por edhe me sëmundje të tjera. Problemet e veshkës ndjekin sëmundjen e diabetit dhe numri i të prekurve me diabet është rritur. Çdo i sëmurë me hipertension, duhet të kontrollojë veshkat, pasi ato janë shkaktare kryesore të hipertensionit.
"Veshka është si një ushtar që punon pa e ngritur zërin, ditë e natë. Ajo nuk jep asnjë sinjal kur vuan. Në çastin kur veshka jep sinjal, është shumë vonë, ndaj duhet ndërhyrje e menjëhershme për ta parandaluar. Nefrologu nuk parandalon, nefrologu kuron. Parandalimi duhet të bëhet nga mjeku i familjes", thekson Prof. Dr. Myftar Barbullushi.
Ky alarm i mjekëve nefrologë ka mbledhur në një konferencë profesorë të njohur të nefrologjisë nga Greqia dhe Italia, për të gjetur zgjidhje se si të parandalohet që nga mjeku i familjes, pasi kurimi i kësaj sëmundjeje ka kosto të lartë. Një person që bën dializë ka një kosto deri në 20 mijë euro në vit.
Në nëntor pritet të nisë një kurs për mjekët e familjes, se si të kapin në kohë sëmundjet e veshkave.
Alma Demiraj