Mjekësi e përgjithshme

tet172018

E ardhmja e shkencës në nefrologji. Shkencëtari italian Giuseppe Remuzzi: Po tentojmë të rindërtojmë veshkën në laborator

Jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, sëmundjet e veshkave po marrin jetë njerëzish. Përballë kësaj situate, shkencëtarët janë duke punuar për të prodhuar veshkën në laborator. Profesor Giuseppe Remuzzi thotë për Doktor33.al se po bëhen përpjekje për zëvendësimin e qelizave të dëmtuara në trupin e njeriut dhe krijimin e asaj që quhet veshkë e re. Por kjo, sipas tij, do të ndodhë pas 15 apo 20 vjetësh. Sëmundjet e veshkave, të cilat vrasin në heshtje, po marrin jetë njerëzish aq sa AIDS-i, tuberkulozi dhe malaria së bashku në botë.

Kjo ka bërë që shkenca të nisë kërkimet për të prodhuar veshkën në laborator. Giusseppe Remuzzi, i cili drejton Institutin Shkencor "Mario Negri" në Itali dhe konsiderohet ndër shkencëtarët me influencë në botë, thotë për Doktor33.al se prej vitesh një grup shkencëtarësh në institutin që ai drejton po punojnë fort për ta realizuar një gjë të tillë. Ai shprehet se ka dy rrugë për ta realizuar atë:

"Një mënyrë është të marrësh një veshkë, t'i heqësh të gjitha qelizat e veshkës së sëmurë dhe të vendosesh qeliza të reja, për shembull, qeliza embrionale ose qeliza që i përmbajnë ato embrionale, të cilat merren nga krahu dhe i injektohen veshkës në laborator dhe, presupozohet të ndërtohet një veshkë e re. Është një gjë shumë e vështirë, kemi arritur të realizojmë një nefron që është një njësi funksionale e veshkës, por ne kemi 1 milion nefrone për një veshkë. Merren qelizat nga krahu i njeriut zhvillohen në laborator dhe më pas injektohen në veshkë, duke e ndërtuar një veshkë nga e para", u shpreh Giuseppe Remuzzi.
Kur e pyesim Profesor  Remuzzin se kur do te arrihet që një veshkë e tillë të vendoset në trupin e atyre që veshkat i kanë jashtë funksionit, ai nuk e fsheh skepticizmin:

"Kur dikush më pyet kur do të ndodhë, unë i them dy gjëra: E para, nuk jam i sigurt që do të ndodhë. E dyta, mund të ndodhë pas 15 vjet apo 20 vjetësh dhe jo më parë", thotë ai.

Kjo është e ardhmja e shkencës. Por, në fakt, edhe në Shqipëri, statistikat e para të check-up-it kanë nxjerrë në pah se 1 në 10 shqiptarë vuan nga sëmundjet e veshkës dhe jo thjesht infeksione renale apo gurë në veshka, por deri edhe dëmtime të funksionit të veshkës.

Profesor Remuzzi shprehet se sëmundjet e veshkave parandalohen, mjafton një analizë urine e gjaku dhe nuk kursehet kur thotë që në këtë pikë, Shqipëria duhet të marrë shembull nga Italia për skanimin e popullatës.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>