dhj52018
Transplanti fekal, ndihma e mundshme kundër kolitit të lidhur me imunoterapinë
Transplanti i baktereve të zorrëve nga donatorë të shëndetshëm mund të trajtojë me sukses pacientët e prekur nga koliti i rëndë, i shkaktuar nga trajtimi me inhibitorët e checkpoint-it immunitar (ICI), sipas një studimi të zhvilluar mbi dy pacientë dhe të botuar në "Nature Medicine". "Zgjidhja e kolitit te këta pacientë mund të konfirmohet klinikisht dhe nëpërmjet endoskopit pas trajtimit me transplant të mikrobiotës fekale (FMT). Bazuar në rezultatet tona, kjo zgjidhje duhet të vlerësohet gjithashtu si terapi e linjës së parë për kolitin e lidhur me ICI-në, sepse ajo është e sigurt, e shpejtë dhe me efekt të qëndrueshëm", thotë Yinghong Wang (Universiteti i Teksasit), autori i parë i studimit.
Koliti është efekti i dytë më i zakonshëm pasojë e ICI-ve, duke qenë se është i pranishëm në mbi 40% të pacientëve dhe kur paraqitet në formë të rëndë, udhëzimet kërkojnë që pacienti të ndërpresë trajtimin me ICI deri në shërim. Hulumtuesit amerikanë kanë shqyrtuar mundësinë e transplantit fekal, si terapi alternative për pacientët me kolit të lidhur me ICI-në dhe të dy pacientët e trajtuar në Qendrën Anderson, kanë arritur zgjidhje të plotë të kolitit, pas trajtimit me FMT.
Në mënyrë të veçantë, koliti i pacientit të parë, u zgjidh brenda dy javëve pas një trajtimi të vetëm me FMT, ndërsa pacienti i dytë ka patur një shërim të pjesshëm pas trajtimit të parë, pasuar nga një rimëkëmbje e plotë pas një FMT-je të dytë. Përmes vlerësimit endoskopik para dhe pas trajtimit, të dy pacientët treguan përmirësime të dukshme në inflamacion dhe ulcerë, duke përfshirë uljen e qelizave imunitare inflamatore.
Analizat e feçes para dhe pas trajtimit, zbuluan se mikrobiomat intestinale të pacientëve ishin më të ngjashme me donatorin menjëherë pas trajtimit, duke ndryshuar gradualisht me kalimin e kohës. Megjithatë, bakteret e intestinit pas trajtimit mbetën të ndryshme nga mikrobioma e paratrajtimit, me praninë e specieve të reja bakteriale, duke përfshirë disa lloje të njohura si mbrojtëse ose në gjendje për të reduktuar inflamacionin.
Nature Medicine 2018. Doi: 10.1038/s41591-018-0238-9
https://www.nature.com/articles/s41591-018-0238-9