pri192024
Hemopatitë malinje. Prof. Arben Ivanaj: Cili është roli i transplantit të palcës gjatë 2024?
Hemopatitë malinje, të tilla si leucemitë, limfomat, apo mielomat kanë shënuar rritje në Shqipëri, një trend në rritje ky edhe në të gjitha vendet e Ballkanit e Evropës. Shefi i shërbimit të hematologjisë në QSUT, prof. Arben Ivanaj thotë se janë afro 8000 shtrime në vit.
"Me rritjen e jetëgjatësisë së popullatës, po rritet edhe numri i rasteve të diagnostikuara me hemopati malinje. Kjo është kudo në fakt, nuk është vetëm problematikë e Shqipërisë", u shpreh prof. Ivanaj.
Disa prej këtyre sëmundjeve janë të trashëguara, por shpesh ndikojnë faktorët e jashtëm në nxitjen e tyre. Ka mosha të vogla të prekura nga leucemitë, por shumë nga pacientët diagnostikohen pas të pesëdhjetave.
"Hemopatitë malinje prekin çdo moshë dhe disa prej tyre janë të trashëguara. Pra, i kemi në gjenet tona të trashëguara nga stërgjyshërit tanë. Megjithatë, ka faktorë të jashtëm të cilët i nxisin ato, duke ndikuar në krijimin e qelizave kancerogjene. Disa prej tyre i njohim e disa të tjerë jo", theksoi shefi i shërbimit.
Profesorë të njohur të hematologjisë në Evropë dhe në Ballkan kanë shkëmbyer njohuritë dhe eksperiencat tyre për trajtimin e sëmundjeve të gjakut gjatë takimit të pestë që u zhvillua në Tiranë.
"Po diskutojmë se cili do të jetë roli i transplantit të palcës gjatë vitit 2024. Ka shumë trajtime të reja, por transplanti i palcës mbetet një ndër trajtimet më efikase. Ky trajtim nuk bëhet ende në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë se nuk do të bëhet së shpejti", theksoi prof. Arben Ivanaj.
Alma Demiraj