dhj172018
Infeksionet respiratore recidivante rëndojnë familjet. "Armët" për t'u mbrojtur
Një nga tre mungesa në shkollë iu atribuohet infeksioneve respiratore recidivante. Ky është një nga motivet bazë edhe për humbjen e 30% të ditëve të punës nga prindërit. Por, nuk duhet harruar që edhe të rriturit sëmuren, duke qenë të detyruar t'u nënshtrohen mungesave të tjera.
Këto janë disa nga të dhënat më të rëndësishme të një takimi të zhvilluar në Milano mbi mundësitë e ofruara nga homeopatia. "Impakti ekonomik është në kurriz të familjes dhe nuk paraqet një impenjim të madh për Shërbimin Shëndetësor Kombëtar: shtrimet janë të rralla dhe bëhet fjalë më shumë për forma virale, ndaj dhe barnat e përdorura janë të fashës C", shpjegon Roberto Dal Negro, pneumolog dhe përgjegjës i CESFAR-it (Qendra e studimeve kombëtare të farmakoekonomisë dhe farmakoepidemiologjisë respiratore).
"Episodet e këtij lloji kanë një kosto rreth 300 euro në vit secili, nga të cilat, zërin më të madh nuk e përbëjnë barnat, por 70-80%, kostoja e mungesës në punë e shkollë dhe, nëse qëndrimi në shtëpi është i pamundur, pagesa e një dadoje. Nëse episodet e infeksionit respirator recidivant bëhen dy, edhe kostoja do të dyfishohet", vijon eksperti. "Nëse janë më shumë se një fëmijë, kostoja rritet shumë e nëse ka edhe një të moshuar në ngarkim (frekuenca rritet në mënyrë progresive edhe te mosha e tretë) kostoja shumëfishohet më tej."
Viktimat kryesore janë fëmijët, sipas asaj që ka evidentuar Francesco Macrì, pediatër alergolog, sekretar i grupit të studimit të mjekësisë plotësuese në SIP (Shoqata Italiane e Pediatrisë). "Llogaritet që në vitin e parë, një fëmijë nga katër vuan nga ky problem dhe më pas, një fëmijë nga pesë. Infeksionet respiratore recidivante priren të reduktohen më pas me 20% në vit dhe rreth moshës 4-5 vjeçare, janë përgjithësisht jashtë problemeve", shpjegon Macrì. Më pas, pediatri vijon: "Kur flitet për fëmijët, konsiderohen të prekur nga IIR-ja, kur numri i episodeve akute febrile e kalon kuotën 6 nëse është në rrugët e sipërme respiratore (veshët, hunda, fyti) ose kuotën 3, nëse është në rrugët e poshtme respiratore (bronket dhe mushkëritë) në një hark kohor që zgjat nga fillimi i vitit shkollor e deri në pranverë, praktikisht, një episod në muaj".
Janë forma që menaxhohen përgjithësisht në shtëpi, por përfaqësojnë një të tretën e motiveve të konsultimin pediatrik ambulator".
Sa u përket trajtimeve, "dikur mbizotëronte drejtimi në farmaci dhe në trajtimet thuajse shtëpiake, por në dhjetëvjeçarin e fundit, orientimi është më i shoejtë drejt konsultës me mjekun", thotë Dal Negro.
"Nëse kjo perceptohet e parëndësishme, atëherë kapërcehet vizita te mjeku i familjes për të kontaktuar me specialistin, më së shumti, me pneumologun". "Në disa mjedise të otorinolaringologjisë pediatrike, pikërisht mjediset klinike në të cilat ndeshen këto probleme, është sinjalizuar se prindërit iu drejtohen terapive plotësuese deri në 40-50% të rasteve dhe se homeopatia është një nga më të përdorurat, shton Macrì. Avantazhet janë mundësia për të stimuluar organizmin që të reagojë pa efekte anësore dhe fakti që është një farë terapie individuale, sepse karakteristikat e pacientit studiohen që të mund të zgjidhet ndërmjet mjekimeve të shumta që janë në dispozicion. Së fundi ka punime që tregojnë se si në një kontekst në të cilin përdoret terapia homeopatike ka një reduktim të konsiderueshëm të përdorimit të antibiotikëve."