dhj202018
Bari imunoterapeutik që zgjat mbijetesën e pacientëve me tumor të kokës dhe qafës
Sipas asaj që referon një studim i gjerë i publikuar në "Lancet", bari imunoterapeutik pembrolizumab është në gjendje të zgjasë në mënyrë të konsiderueshme mbijetesën e pacientëve me tumor të avancuar të kokës dhe qafës, duke arritur në disa raste, një kohëzgjatje prej tre ose më shumë vitesh.
"Në mënyrë të përgjithshme, mjekimi ka treguar përfitime të rëndësishme për pacientët dhe 37% e atyre që e kanë marrë, kanë mbijetuar për një vit ose më shumë, në krahasim me 26,5% të atyre në terapi standarde. Rezultatet kanë qenë veçanërisht të rëndësishme në grupin e atyre që kanë treguar një përgjigje ndaj pembrolizumabit, me një kohëzgjatje mesatare të vetë përgjigjes me 18,4 muaj, në krahasim me pesë muaj të terapisë standarde", shpjegon Kevin Harrington (Instituti Kërkimor për Kancerin në Londër), autor kryesor i punimit.
Kërkuesit kanë përzgjedhur në mënyrë rastësore rreth 500 pacientë me tumor të kokës dhe qafës shumë të avancuar që ishte përhapur në të gjithë trupin dhe tashmë ishte rezistent ndaj kimioterapisë me platin, që të merrnin pembrolizumab ose kurën standarde, pra, kimioterapinë ose cetuximab.
"Kur kimioterapia ose terapitë e përcaktuara reshtin së funksionuari, opsionet e trajtimit për personat me karcinomë të avancuar në kokë dhe në qafë janë të limituara dhe normalisht, parashikohet që mbijetojnë për jo më shumë se gjashtë muaj (Kjo është konfirmuar në studimin ku pacientët e trajtuar në mënyrë standarde, kanë mbijetuar për mesatarisht 6,9 muaj). Nga ana tjetër, pacientët që kanë marrë pembrolizumab, kanë mbijetuar për mesatarisht 8,4 muaj", vijon Harringtoni.
Në veçanti, një pjesë e pacientëve i është përgjigjur shumë mirë pembrolizumabit: te 36 prej tyre, tumori është zhdukur pjesërisht ose plotësisht dhe disa janë pa kancer edhe 3 vjet pas marrjes së barit. Vetëm 13% e personave të trajtuar me pembrolizumab ka pasur efekte të padëshiruara të rënda, krahasuar me 36% të atyre që janë menaxhuar me kurën standarde.
"Rezultatet tona tregojnë që imunoterapia me pembrolizumab është në gjendje të zgjasë jetën e personave me kancer të avancuar të kokës dhe të qafës në përgjithësi dhe në grupin e pacientëve ka përfitime vërtet të rëndësishme, përveçse është një trajtim që tolerohet më mirë sesa ato që janë aprovuar aktualisht", përfundojnë autorët.
Lancet 2018. Doi: 10.1016/S0140-6736(18)31999-8
https://doi.org/10.1016/S0140-6736(18)31999-8