shk42019
Pacientët me ventilim në ICU. Ndërhyrjet lokale nuk reduktojnë infeksionet e gjakut
Te pacientët që i nënshtrohen ventilimit në terapinë intensive, as kolutori me klorheksidinë, as dekontaminimi orofaringeal selektiv (SOD) dhe as dekontaminimi selektiv i sistemit tretës (SDD) nuk reduktojnë në mënyrë të konsiderueshme infeksionet e gjakut që shkaktohen nga bakteret gramnegative multirezistente (MDRGNB), në kontekstin e një rezistence ndaj antibiotikëve nga e moderuar deri në të lartë. Kjo bëhet e ditur në një studimi të publikuar në "JAMA" dhe të paraqitur në kongresin vjetor të European Society of Intensive Care Medicine.
"Nuk kemi gjetur ndonjë efekt të dobishëm mbi mbijetesën e pacientëve në terapi intensive dhe kjo bie në kundërshtim me studimet e mëparshme të kryera në kontekste me nivele më të ulëta të rezistencës ndaj antibiotikëve", shpjegon Bastiaan Wittekamp (Universiteti i Utrehtit, në Holandë), që ka udhëhequr një ekip pune.
Kërkuesit kanë vlerësuar 8.665 pacientë (mosha mesatare 64,1 vjeç, 64,2% burra) që i nënshtrohen ventilimit mekanik në 13 njësi të terapisë intensive evropiane ku të paktën 5% e infeksioneve të gjakut janë shkaktuar nga MDRGNB-të. Pas një periudhe fillestare me kurim standard (larja e përditshme e trupit me klorheksidinë 2% dhe përmirësimi i higjienës së duarve), çdo njësi e terapisë intensive është randomizuar për një ndërhyrje gjashtë mujore me kolutor me bazë klorheksidine 2%, dekontaminim orofaringeal selektiv (pasta e dhëmbëve me kolistinë, tobramicinë dhe nistatinë) ose dekontaminim selektiv të sistemit të tretjes (e njëjta pastë dhëmbësh dhe ndërprerja gastrointestinale me të njëjtët antibiotikë), me zbatimin e ndërhyrjes katër herë në ditë te pacientët me ventilim për të paktën 24 orë. Ndërmjet pacientëve, 144 kanë pasur një infeksion gjaku që është marrë në njësinë e terapisë intensive nga MDRGNB.
Në mënyrë të përgjithshme, 2,1% e infeksioneve është verifikuar në fillim, 1,8% me trajtimin me klorheksidinë, 1,59% me dekontaminimin orofaringeal selektiv dhe 1,2% me dekontaminimin selektiv të sistemit tretës. Odds ratio të rregulluar për vdekshmërinë për 28 ditë në krahasim me fillimin ishin 1,07 për klorheksidinën, 1,05 për dekontaminimin orofaringeal selektiv dhe 1,03 për dekontaminimin selektiv të sistemit tretës. Autorët përfundojnë se do të jenë të nevojshme studime të tjera për të kuptuar dallimet në efikasitetin e strategjive të dekontaminimit në bazë të nivelit të rezistencës ndaj antibiotikëve.
"Mesazhi i rëndësishëm që marrim nga ky studim është që dekontaminimi i kryer me metodika të vlerësuara, nuk i ndalon infeksionet e rënda dhe as nuk ka efekt mbi vdekshmërinë e pacientit", pohon Christina Vandenbroucke-Grauls (Universiteti i Amsterdamit), bashkautore e një shkrimi të lidhur me këtë çështje.
JAMA. 2018. doi: 10.1001/jama.2018.13765
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30347072
JAMA. 2018. doi: 10.1001/jama.2018.13764
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30347049