Mjekësi e përgjithshme

mar192019

Prognoza e melanomës. Nga bioshënjuesit, te rezultati i ri funksional i agresivitetit

Një algoritëm i ri (i zhvilluar nga Instituti i Lartë Italian i Shëndetësisë [ISS] në bashkëpunim me Institutin Dermopatik Immacolata (IDI-IRCCS) dhe universitetet e Salernos dhe të Veronës) ka rezultuar i aftë të llogarisë agresivitetin dhe potencialin metastatik të melanomës dhe të tumoreve të tjera. Ky zbulim (fryt i një kërkimi të publikuar në "Journal of experimental and clinical cancer research [JERCCR]") që është zbatuar në lloje të ndryshme tumoresh, propozon qasje të reja diagnostikuese, prognostike, si edhe parandaluese të komplikacioneve të tilla, siç janë metastazat.

Kërkuesit, të koordinuar nga Francesco Facchiano (Departamenti i Onkologjisë dhe Mjekësisë Molekulare në ISS Romë), kanë tipizuar dhjetë linja qelizore të melanomës metastatike në bazë të proliferimit, migrimit dhe aftësisë së invadimit.

Thellësia e shprehjes gjenike dhe proteinike, sekretimi i citokinave dhe rrugët metabolike më të rëndësishme (që janë identifikuar nëpërmjet analizave bioinformatike), janë testuar nëpërmjet transkriptimit në silic, në një grup të dhënash të gjeneruara nga kampionët e biopsive të pacientëve me melanomë. Veç të tjerave, aktiviteti i metaloproteazës së matricës (MMP) është zbuluar përmes zimografisë (teknika elektroforetike mbi xhelin e poliakrilamidit, që lejon vizualizimin e numrit dhe peshës molekulare të përafërt të proteazës në një kampion, në bazë të hidrolizës së shtresës specifike, të inkorporuar në xhel. NDR) dhe roli i faktorit të nekrozës së tumorit (TNF)-alfa është konfirmuar nga trajtimi me qeliza anti-TNF.

Është shënuar një rezultat i agresivitetit, i quajtur "Melanoma aggresiveness score" (MAGS), i llogaritur duke matur proliferimin, migrimin, invadimin dhe kohën e dyfishimit të këtyre linjave qelizore të melanomës humane që janë rigrupuar kështu në dy grupe të ndryshme me agresivitet të ndryshëm, sipas MAGS-it korrespondues. Dy linja qelizore janë seleksionuar si modele përfaqësuese respektivisht me agresivitet më të madh dhe më të vogël. Këto dy modele janë analizuar gjerësisht me metodika të ndryshme "omics" dhe analiza bioinformatike nga të cilat ka dalë që sekretimi i molekulës së sinjalit, shprehja e proteinave dhe funksioni i disa enzimave janë në mënyrë të konsiderueshme të ndryshme në dy linjat qelizore.

Roli kyç i njërit prej faktorëve të rëndësishëm, TNF (faktorit të nekrozës tumorale), është konfirmuar, pra, nga një vlerësim funksional. Në fakt, duke inhibuar TNF-në me një antitrup specifik, agresiviteti i qelizave të melanomës është reduktuar fuqishëm. Studimi demonstron se një qasje funksionale, siç është llogaritja e MAGS-it, i cili është zhvilluar për të matur agresivitetin e qelizave tumorale, si për shembull ato që izolohen direkt nga pacientët, mund të ndihmojë në klasifikimin prognostik dhe në identifikimin e objektivave të reja molekulare me rëndësi të mundshme terapeutike. Punimi tregon edhe rëndësinë e disa rrugëve metabolike të përfshira në përcaktimin e agresivitetit të melanomës, tumorit më të rrezikshëm të lëkurës, shpesh vdekjeprurës nëse diagnostikohet me vonesë dhe incidenca e të cilit në popullsi është në rritje, për motive mjedisore dhe të stileve të jetesës. Eksperimentet janë kryer në modele qelizore dhe mekanizmat molekularë të përfshirë, janë verifikuar në të dhënat e pacientëve, të disponueshme publikisht online.

"Kemi treguar për herë të parë", thekson Facchiano, "dobinë e matjes së agresivitetit të qelizave tumorale me metoda funksionale, duke llogaritur, pra, se sa funksionojnë disa mekanizma specifikë qelizorë, në vend të matjes së thjeshtë të pranisë ose mungesës së bioshënjuesve të caktuar, siç bëhet zakonisht". Aktiviteti i metaloproteazës është testuar dhe roli i saj është konfirmuar duke krahasuar të dhënat transkriptomike të pacientëve me melanomë të lëkurës dhe neo beninj.

"Sinjalet inflamatore si aktiviteti i TNF-së dhe MMP-2 janë aktorë intrinsekë thelbësorë për të përcaktuar agresivitetin e qelizave të melanomës, duke sugjeruar që pamja e re identifikon objektiva të reja molekulare me rëndësi të mundshme terapeutike", përfundon Facchiano.

(A.Z.)

J Exp Clin Cancer Res, 2018;37(1):326. doi: 10.1186/s13046-018-0982-1.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30591049


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>