tet242019
Në Australi funksionon parandalimi i melanomës. Ja, strategjia!
SunSmart, një program australian për parandalimin e kancerit të lëkurës, mund të ketë kontribuar në një reduktim së fundi të incidencës së melanomës mes rezidentëve të Melburnit.
"Së fundi, kemi dëshmuar një reduktim të normave të melanomës mes të rinjve australianë dhe mendojmë se programet e parandalimit, siç është SunSmarti, mund të kenë ndikuar në këtë rënie", shpjegon Suzanne Dobbinson, Këshilli i Kancerit "Victoria" në Australi, autore kryesore e një studimi të publikuar në "PLOS Medicine".
"Fatkeqësisht, masat e përdorura më parë për të monitoruar ndryshimet në kuptim të parandalimit për këtë popullsi, janë përqendruar vetëm në sjellje të veçanta të mbrojtjes nga dielli dhe kanë lënë pas dore efektin e sjelljeve individuale, të kombinuara, që reduktojnë ekspozimin ndaj rrezeve ultraviolet. Kjo mund të ketë shkaktuar nënvlerësimin e efekteve të programit".
Për të hetuar këtë çështje, studiuesit përdorën të dhënat e një studimi veror, të kryer në popullsinë e Melburnit para fillimit të SunSmartit (1987-1988) dhe në tre dekadat në vijim (1988-2017). Në disa intervista telefonike, 13.228 banorë të moshës 14-69 vjeç kanë treguar zakonet e tyre për nxirje, mënyrën e mbrojtjes nga dielli dhe incidencën e djegies nga dielli gjatë fundjavës që kishte paraprirë intervistën.
Analiza e tendencave të sjelljes së të anketuarve tregoi se përdorimi i mënyrave të mbrojtjes nga dielli është rritur me shpejtësi në dekadën qëkur filloi SunSmarti, me një rritje trefish në gjasat e përdorimit të një ose më shumë mënyrave të mbrojtjes nga dielli në fundjavat e verës në vitet 1990, në krahasim me para programit. Këto përmirësime kanë vazhduar që nga viti 2000 dhe kanë vazhduar të rriten në periudhën pas vitit 2010. Ekspertët tregojnë se analiza ka kufizime: faktin e përdorimit të të dhënave të vetëraportuara, mungesën e një grupi kontrolli dhe se ekzistojnë disa faktorë potencialë ngatërrues.
"Rezultatet tona duket se mbështesin një kontribut të SunSmartit në reduktimin e melanomës", përfundojnë autorët.
PLoS Med 16(10): e1002932.
https://doi.org/10.1371/journal.pmed.1002932