Mjekësi e përgjithshme

jan162020

Tumoret hematologjike. Transplanti i ri i qelizave staminale ofron shpresa në trajtim

Një studim që ka zgjatur dy vjet dhe që është publikuar në "Lancet Haematology", ka treguar se, pas përdorimit të molekulës UM171 në transplantet e qelizave staminale të gjakut te pacientët me tumore hematologjike akute, normat e refuzimit dhe të vdekshmërisë në transplant janë reduktuar dukshëm.
Shumë transplante të qelizave staminale të gjakut, dështojnë sepse sëmundja kthehet, ose si pasojë e sëmundjes nga transplanti kundër mikpritësit (cGVHD), ose sepse pacienti vdes për shkak të kemioterapisë dhe të trajtimeve radioterapike që shoqërojnë transplantin.

"Edhe nëse norma e sëmundjes nga transplanti kundër mikpritësit kur përdoren qelizat staminale të gjakut të kordonit umbelikal është e ulët, këto qeliza janë përdorur rrallë, sepse kordonet janë të vogla dhe nuk përmbajnë sasi të mjaftueshme qelizash për të kuruar një të rritur", shpjegon Guy Sauvageau (Universiteti i Montrealit), autor kryesor i studimit. Por, molekula UM171, e zbuluar pikërisht nga Sauvageau dhe grupi i tij i punës në vitin 2014, është në gjendje të shumëfishojë numrin e qelizave staminale të pranishme në një njësi gjaku të kordonit umbelikal nga 10 në 80 herë.
"Në vetëm shtatë ditë, UM171 i shumëfishon qelizat staminale për një mesatare prej 30 herësh, duke ofruar në të njëjtën kohë, një efekt rigjenerues mbi qelizat e duke bllokuar procesin e plakjes", konfirmon Sauvageau.

Studiuesit studiuan 22 pacientë të rritur me kancer hematologjik të përparuar, disa prej të cilëve kishin kaluar tashmë një transplant të pasuksesshëm të qelizave staminale dhe i transplantuan duke përdorur UM171. Askush nga pacientët nuk zhvilloi sëmundje kronike autoimune pas transplantit dhe vetëm një pacient vdiq nga komplikacionet. Një analizë e procesit molekular të shkaktuar nga UM171 ka treguar se molekula jo vetëm që zgjeron në masë të madhe numrin e qelizave staminale në gjakun e kordonit, por ndryshon edhe përbërja e graftit, duke shumëzuar numrin e qelizave dendritike me 600 herë dhe numrin e qelizave të mastociteve me 8,000 herë e duke bërë të mundur rrënjosjen e shpejtë e të qëndrueshme dhe rindërtimin e shpejtë të sistemit imunitar.

"Së shpejti do të zhvillojmë një studim klinik të fazës 3, me shpresën për të marrë miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave në SHBA, në mënyrë që ta bëjmë këtë trajtim të disponueshëm për popullatën e përgjithshme, sa më shpejt të jetë e mundur", përfundojnë autorët.

 

Lancet Haematology 2019. Doi: 10.1016/S2352-3026(19)30202-9
https://doi.org/10.1016/S2352-3026(19)30202-9


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>