maj232023
Te diabetikët, insulinën mund ta prodhojnë edhe qelizat staminale të pankreasit
Një studim i publikuar në "Signal Transduction and Targeted Therapy", i pari i këtij lloji, propozon një rrugë për rigjenerimin e insulinës në qelizat staminale të pankreasit, duke i hapur rrugën terapive të reja për trajtimin e diabetit të tipit 1 dhe tipit 2.
"Aktualisht, e vetmja terapi efektive përveç injeksioneve të insulinës për të zëvendësimin e qelizave beta të shkatërruara te pacientët me diabet është transplantimi i ishujve pankreatik. Trajtimi i cili, edhe pse ka dobi klinike, duhet të përballet me mungesën e donatorëve dhe efektet anësore të barnave imunosupresive", shpjegon koordinatori i grupit kërkimor Assam El-Osta nga Universiteti Monash në Melburn, Australi. Si rezultat, kërkimet aktuale janë fokusuar në zëvendësimin e qelizave beta të humbura dhe të dhënat eksperimentale mbi plasticitetin e natyrshëm të qelizave pankreatike kanë nxitur interesin për rigjenerimin e qelizave beta. Njëra nga linjat e kërkimit përfshin përdorimin e qelizave paraardhëse të pankreasit, qeliza staminale të afta të diferencohen në qeliza të ndryshme pankreatike, duke përfshirë qelizat beta. Dhe, duke përdorur qelizat staminale të pankreasit nga një donator diabetik i tipit 1 të trajtuar me GSK126, një frenues i fuqishëm dhe shumë selektiv i metiltransferazës humane EZH2, studiuesit rivendosën shprehjen e gjenit të insulinës, duke stimuluar këto qeliza të bëhen qeliza funksionale sekretuese të insulinës, të ngjashme me qelizat beta. Një qasje e re që do të lejonte qelizat beta origjinale të zëvendësohen me qeliza staminale të programuara për të gjeneruar insulinë.
"Ndërsa përballemi me plakjen e popullsisë globale dhe sfidat e një epidemie të plotë të diabetit të tipit 2 të lidhur ngushtë me rritjen e obezitetit, nevoja për një trajtim për diabetin po bëhet gjithnjë e më urgjente", thotë El-Osta, duke shpjeguar se përpara se të arrihet te pacientët ka ende shumë vështirësi për të kapërcyer në mënyrë që të mund të përcaktohen vetitë e këtyre qelizave dhe të vendosen protokolle për izolimin dhe zgjerimin e tyre.
"Unë mendoj se terapia është ende shumë larg, por ky studim është një hap i rëndësishëm në rrugën për të arritur në një trajtim të qëndrueshëm që mund të jetë i zbatueshëm për të gjitha llojet e diabetit", përfundon autori.
Signal Transduction and Targeted Therapy 2023. Doi: 10.1038/s41392-022-01034-7
http://doi.org10.1038/s41392-022-01034-7