shk192020
Osteoartriti i dorës, legenit dhe gjurit. Përditësohen pas shtatë vjetësh udhëzimet në SHBA
Janë përditësuar rekomandimet për menaxhimin e osteoartritit të dorës, legenit dhe gjurit. Botuar në internet në "Arthritis, care & research", ato janë pjesë e edicionit 2019 të udhëzimeve specifike mbi temën, hartuar nga Kolegji Amerikan i Reumatologjisë/ Fondacioni i Artritit, shtatë vjet pas versionit të mëparshëm të vitit 2012.
Hartuesit, të koordinuar nga Sharon L. Kolasinski (Universiteti i Pensilvanisë, në Filadelfia), bënë një shqyrtim sistematik të literaturës për të përmbledhur provat që mbështesin përfitimet dhe dëmet e terapive rehabilituese, të sjelljes, psikosociale, fizike, mendore dhe farmakologjike të disponueshme.
Një ekip votues, që përfshinte reumatologë, internistë, terapistë fizikë dhe pacientë, arritën në konsensus mbi rekomandimet. Si rezultat i kësaj pune, Kolasinski dhe kolegët dhanë rekomandime të forta për: 1) ushtrimet; 2) rënien në peshë te pacientë me mbipeshë ose obezë, osteoartrit të gjurit dhe/ose të legenit 3) programet e vetëefikasitetit dhe vetëmenaxhimit; 4) teknikën tai chi; 5) përdorimin e shkopit. Gjithashtu, janë konsideruar të forta rekomandimet për: 1) ortozën e duarve në rast të osteoartritit të nyjës së parë karpometakarpale (CMC); 2) përforcim tibiofemoral për osteoartritin tibiofemoral të gjurit; 3) barna antiinflamatore jo steroide (FANS) lokale për osteoartritin e gjurit; 4) FANS-a oralë dhe injeksione glukokortikoidale intraartikulare për osteoartrit të gjurit.
Rekomandimet e kushtëzuara përfshijnë: 1) ushtrime të ekuilibrit; 2) joga; 3) terapi njohëse e të sjelljes; 4) akupunkturë; 5) modalitete termike; 6) fasha muskulare për osteoartrit të artikulacionit të parë CMC; 7) ortozë për nyjet e duarve, përveç nyjes së parë CMC; 8) përforcim për osteoartrozën patelofemorale të gjurit; 9) ablacioni i radiofrekuencës për osteoartrozën e gjurit.
Janë hartuar gjithashtu rekomandime të kushtëzuara për: 1) FANS-at lokalë; 2) injeksionet intraartikulare të steroideve dhe kondroitinës sulfate për osteoartritin e dorës; 3) kapsaicinë lokale për osteoartritin e gjurit; 4) përdorim i paracetamolit, duloxetinës dhe tramadolit.
Mbi të gjitha, nënvizojnë autorët e udhëzimeve, "menaxhimi optimal kërkon një qasje globale dhe multimodale ndaj trajtimit të pacientëve me osteoartrit të dorës, legenit dhe/ose gjurit. Kjo qasje duhet të ofrohet në kontekstin e një procesi të përbashkët vendimmarrjeje, i cili merr parasysh vlerat, preferencat dhe komorbiditetin e pacientëve, në mënyrë që të zgjidhet trajtimi më i sigurt dhe më efektiv i mundshëm". Kolasinski dhe kolegët specifikojnë se gjithsesi, këto rekomandime nuk duhet të përdoren për të kufizuar ose mohuar qasjen ndaj terapive.
A.Z.
Arthritis Care Res, 2020 Jan 6. doi:10.1002/acr.24131
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/31908149