Mjekësi e përgjithshme

kor52024

Duhani. Udhëzimet e OBSH-së për lënien e tij. Ja, zgjidhjet

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar udhëzimet e para të detajuara për lënien e duhanit, të cilat përfshijnë ndryshimet në sjellje, si edhe ato digjitale dhe farmakologjike.

Më shumë se 60% e 1.25 miliardë përdoruesve të duhanit në botë, pra 750 milionë vetë, dëshirojnë ta lënë atë. Megjithatë, 70% prej tyre nuk kanë akses ndaj shërbimeve efikase të lënies për shkak të kufizimeve të sistemeve të tyre shëndetësore.
Udhëzimet janë për të gjithë ata të rritur që dëshirojnë të ndërpresin përdorimin e disa produkteve të duhanit, si cigaret, nargjiletë, duhani pa tym, purot, duhani i hapur dhe produkte me duhan të ngrohur (HTP-të), me qëllim që t'i ndihmojnë ta lënë atë.

"Këto udhëzime përbëjnë një moment historik në betejën tonë botërore kundër këtyre produkteve të rrezikshme. Ato u krijojnë shteteve mundësinë e mjeteve thelbësore për mbështetjen efikase të individëve që duan të ndërpresin duhanpirjen, si dhe për lehtësimin e peshës së sëmundjeve të lidhura me duhanin në botë", deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, dr. Theodros Adhanom Ghebreyesus. "Përpjekjet e mëdha që bëjnë individët kur duan të lënë duhanin, nuk mund të nënvlerësohen. Këto udhëzime janë projektuar për të ndihmuar komunitetet dhe qeveritë në ofrimin e një mbështetjeje sa më të mirë ndaj atyre që përballen me këtë rrugëtim të vështirë", shton drejtori për promovimin e shëndetit në OBSH, dr. Rüdiger Krech.

Udhëzimet theksojnë rëndësinë e kombinimit të farmakoterapisë me ndryshimet në sjellje për t'i rritur ndjeshëm normat e suksesit. OBSH rekomandon që këto trajtime të ofrohen me kosto të reduktuar ose falas, sidomos në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare.
OBSH rekomandon ndërhyrje në sjellje, duke përfshirë këshillime të shkurtra rutinë me punonjësit e shëndetësisë (30 sekonda-3 minuta) në mjediset e kujdesit shëndetësor, së bashku me mbështetje më intensive të sjelljes (këshillim individual, në grup ose nëpërmjet telefonit) për përdoruesit e prekur. Gjithashtu, ndërhyrjet digjitale si mesazhet, aplikacionet në smartfonë dhe programet në internet mund të përdoren si mjete vetë-menaxhimi.
Nga trajtimet farmakologjike, OBSH rekomandon përdorimin e vareniklinës, terapi zëvendësuese e nikotinës (NRT), bupropionin dhe citizinën si trajtime efikase për lënien e duhanit. Në vitin 2023 OBSH nisi një procedurë parakualifikimi për përmirësimin e qasjes botërore ndaj barnave të rekomanduara për lënien e duhanit. Në prill të këtij viti, çamçakëzat dhe fashat me nikotinë nga Kenvue ishin produktet e para NRT të parakualifikuara nga OBSH.

OBSH i nxit operatorët shëndetësore, politikëbërësit dhe palët e prekura t'i zbatojnë këto udhëzime me qëllim nxitjen e lënies së duhanit dhe përmirësimin e shëndetit të miliona vetëve në botë.

Këto udhëzime përbëjnë një hap të rëndësishëm në luftën kundër përdorimit të duhanit, duke ofruar një qasje të integruar e cila kombinon ndryshimet në sjellje, ndërhyrjet digjitale dhe trajtimet farmakologjike së bashku. Me zbatimin e këtyre rekomandimeve, vendet mund ta përmirësojnë ndjeshëm mbështetjen ndaj atyre që dëshirojnë ta lënë duhanin dhe të reduktojnë ngarkesën e sëmundjeve të lidhura me të.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>