jan122024
Dhimbja kronike e mesit. Udhëzimet e fundit nga OBSH-ja
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar udhëzimet e para mbi menaxhimin e dhimbjes së mesit (LBP) në mjediset e kujdesit parësor dhe në komunitet, duke renditur ndërhyrjet që punonjësit e kujdesit shëndetësor duhet, ose nuk duhet të kryejnë gjatë trajtimit. Në vitin 2020, afërsisht 1 në 13 njerëz, ose 619 milionë njerëz, u prekën nga LBP, me një rritje prej 60% nga viti 1990. Rastet me LBP pritet të rriten në afërsisht 843 milionë, deri në vitin 2050. Ndikimet dhe kostot personale dhe të komunitetit të lidhura me LBP janë veçanërisht të larta për njerëzit që shfaqin simptoma të saj. Dhimbja kronike primare e mesit i referohet dhimbjes që zgjat më shumë se 3 muaj dhe nuk shkaktohet nga një sëmundje kronike apo ndonjë gjendje tjetër. Gjithashtu, ajo përbën shumicën dërrmuese (të paktën 90% të rasteve) të paraqitjes së dhimbjes së mesit kronike në kujdesin primar. Për këto arsye, OBSH po nxjerr udhëzime për dhimbjen kronike primare të mesit.
Bruce Aylward, zv/drejtor i përgjithshëm i OBSH-së, shpjegon se: "Për të arritur një mbulim shëndetësor universal, gjendja e dhimbjes së mesit nuk mund të injorohet, pasi është shkaku kryesor i aftësisë së kufizuar në botë. Vendet mund të përballen me këtë sfidë të kudondodhur, por shpesh të anashkaluar, me përfshirjen e ndërhyrjeve bazë, të arritshme dhe duke përforcuar qasjet ndaj dhimbjes së mesit në kujdesin shëndetësor parësor."
OBSH rekomandon ndërhyrje jokirurgjikale për të ndihmuar njerëzit që vuajnë nga dhimbjet kronike primare të mesit, duke përfshirë udhëzimet e mëposhtme:
1.Programe edukative që mbështesin njohuritë dhe strategjitë e vetë-kujdesit;
2.Programe ushtrimesh;
3.Disa terapi fizike, si: manipulimi i shtyllës kurrizore dhe masazhi;
4.Terapi psikologjike, si terapia konjitive e sjelljes
5.Medikamente, siç janë ato antiinflamatore jo steroide (FANS)
Udhëzimet përshkruajnë parimet kryesore të trajtimit për të rriturit me dhimbje kronike primare të mesit, duke rekomanduar që ai të jetë holistik, i përqendruar te personi, i barabartë, jo stigmatizues, jo diskriminues, i integruar dhe i koordinuar. Trajtimi duhet të personalizohet për të trajtuar përzierjen e faktorëve (fizikë, psikologjikë dhe socialë) që mund të ndikojnë në përvojën e pacientit me dhimbje kronike parësore të mesit. Mund të nevojitet kryerja e një sërë ndërhyrjesh te një pacient për të trajtuar në mënyrë holistike dhimbjen kronike primare të mesit, në vend të ndërhyrjeve të vetme të përdorura në mënyrë të izoluar.
Udhëzimet përshkruajnë edhe 14 ndërhyrje që nuk rekomandohen për pjesën më të madhe të njerëzve në shumicën e mjediseve. Këto ndërhyrje nuk duhet të ofrohen në formë rutinë, pasi vlerësimi i OBSH-së për provat e disponueshme, tregon se dëmet e mundshme ka të ngjarë t'i tejkalojnë përfitimet. Ajo nuk rekomandon ndërhyrje të tilla, si: 1) mbajtëse, rripa dhe/ose mbështetëse të mesit; 2) disa terapi fizike, si tërheqja në një pjesë të trupit; 3) medikamente të caktuara, të tilla, si qetësuesit opioidë, të cilët mund të shoqërohen me mbidozë dhe varësi.
Dhimbja e mesit është një gjendje e zakonshme që prek shumicën e njerëzve në një moment të jetës së tyre. Në vitin 2020, LBP përbënte 8.1% të të gjitha shkaqeve të viteve të jetuara me aftësi të kufizuara në botë. Megjithatë, udhëzimet e menaxhimit klinik janë zhvilluar kryesisht në vendet me të ardhura të larta. Për njerëzit që përjetojnë dhimbje të vazhdueshme, aftësia për të marrë pjesë në aktivitete familjare, sociale dhe të punës shpesh dëmtohet, duke ndikuar negativisht në shëndetin mendor dhe duke rezultuar në kosto të konsiderueshme për familjet, komunitetet dhe sistemet shëndetësore. Vendet mund të kenë nevojë të forcojnë dhe transformojnë sistemet dhe shërbimet e tyre shëndetësore për të vënë në dispozicion ndërhyrjet e rekomanduara, të arritshme dhe të pranueshme përmes mbulimit shëndetësor universal, duke ndërprerë kryerjen rutinë të ndërhyrjeve të caktuara. Zbatimi i suksesshëm i udhëzimeve do të mbështetet te mesazhet e shëndetit publik në lidhje me kujdesin e duhur për LBP, ndërtimin e kapaciteteve të fuqisë punëtore për të trajtuar kujdesin kronik të dhimbjes së mesit, përshtatjen e standardeve të kujdesit dhe forcimin e bazës së ofrimit të kujdesit shëndetësor, duke përfshirë sistemet e referimit te specialistët. Anshu Banerjee, drejtor i OBSH-së për shëndetin e nënës, e të sapolindurit, e fëmijës dhe e adoleshentëve dhe atë të të moshuarve, shpjegon se: "Trajtimi i dhimbjes kronike të mesit kërkon një qasje të integruar, të përqendruar te personi. Kjo nënkupton marrjen parasysh të situatës së veçantë të secilit person dhe faktorët që mund të ndikojnë në përvojën e tyre të dhimbjes. Ne po e përdorim këtë udhëzues si një mjet për të mbështetur një qasje holistike ndaj kujdesit kronik të dhimbjes së mesit dhe për të përmirësuar cilësinë, sigurinë dhe disponueshmërinë e atij kujdesi".
Dhimbja e mesit ndikon në cilësinë e jetës dhe shoqërohet me komorbiditete dhe rrezik më të lartë të vdekshmërisë. Individët që vuajnë nga dhimbjet kronike të mesit, mbi të gjitha të moshuarit, kanë më shumë gjasa të jetojnë në varfëri, të largohen nga puna para kohe dhe të grumbullojnë më pak të ardhura për pension. Në të njëjtën kohë, të moshuarit kanë më shumë gjasa të përjetojnë efekte anësore të lidhura me ndërhyrjet, duke përforcuar rëndësinë e përshtatjes së trajtimit për nevojat e secilit individ. Trajtimi i dhimbjes kronike të mesit te të moshuarit mund të ndihmojë në plakje të shëndetshme, në mënyrë që të moshuarit të kenë kapacitetin funksional për të ruajtur mirëqenien e tyre.
https://www.who.int/publications/i/item/WHO-FWC-ALC-19.1
https://iris.who.int/bitstream/handle/10665/374726/9789240081789-eng.pdf