Mjekësi e përgjithshme

maj122020

Terapia e privimit androgjenik, ul rrezikun për Covid-19

Sipas një studimi të botuar në "Annals of Oncology", burrat e trajtuar me terapinë e privimit androgjenik (ADT) për kancerin e prostatës, kanë më pak rrezik të sëmuren nga Covid-19. "Pacientët me kancer të prostatës të trajtuar me ADT treguan një rrezik katërfish më të vogël për t'u infektuar me coronavirusin e ri, krahasuar me pacientët që nuk marrin një terapi të tillë. Një dallim edhe më i madh u gjet duke krahasuar pacientët me kancer të prostatës që marrin ADT me pacientë me çfarëdolloj tjetër të kancerit", shpjegon Andrea Alimonti, nga Universiteti i Zvicrës Italiane, autori kryesor i studimit.

Studiuesit analizuan të dhënat që kishin lidhje me Veneton dhe zbuluan se pacientët meshkuj me kancer kishin një rrezik 1.8 herë më të lartë për t'u infektuar me Covid-19 në krahasim me tërë popullsinë mashkullore dhe kishin tendencë të zhvillonin një sëmundje më të rëndë. Sidoqoftë, vetëm katër nga 5,273 burra që i ishin nënshtruar ADT-së e zhvilluan sëmundjen nga coronavirusi dhe asnjëri prej tyre nuk vdiq, ndërsa mes 37.116 burrave me kancer të prostatës që nuk kishin marrë ADT, 114 zhvilluan sëmundjen dhe 18 vdiqën. Për më tepër, nga 79,661 pacientë me lloje të tjera të kancerit, 312 kanë zhvilluar Covid-19 dhe 57 vdiqën. Studiuesit besojnë se gjetjet e tyre mbështesin përdorimin e terapisë ADT për një periudhë të kufizuar kohore edhe te burrat pa kancer të prostatës, të cilët kanë rrezik të lartë të zhvillimit të infeksionit, ose tek ata të infektuar, për të ulur ashpërsinë e simptomave.

"Ekzistojnë disa terapi të aprovuara klinike që ulin nivelin e androgjenit dhe që mund të administrohen te pacientët, me veprim të shpejtë dhe efekt kalimtar, kështu që sapo një pacient të mos e marrë më mjekimin, nivelet e tij të testosteronit kthehen në nivelet e mëparshme. Këto trajtime për uljen e testosteronit, nëse administrohen jo më shumë se një muaj, nuk kanë efekte anësore të mëdha", shpjegon Alimonti.

Autorët shpresojnë se gjetjet e tyre do të nxisin prova klinike mbi përdorimin kalimtar të ADT-së te burrat me Covid-19, përveç terapive të tjera eksperimentale. "Megjithëse këto të dhëna duhet të vërtetohen në grupe shtesë të mëdha të pacientëve me Covid-19, ato japin një përgjigje për hipotezën se nivelet e androgjenit mund të lehtësojnë infeksionet nga coronavirusi dhe të shtojnë ashpërsinë e simptomave", përfundojnë studiuesit.

 

Annals of Oncology 2020. Doi: 10.1016/j.annonc.2020.04.479
https://doi.org/10.1016/j.annonc.2020.04.479


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>