Diabetologji

maj222020

Covid-19 dhe diabeti. Udhëzimet e ekspertëve për ekzaminimet dhe terapitë

Të sëmurët me diabet kanë qenë ndër më të prekurit nga pandemia: nga bilancet e para vlerësohet se, në pjesë të ndryshme të botës, 20 deri 50% e pacientëve me Covid-19 ishin diabetikë, shumë prej të cilëve me një kardiopati ishemike bashkëshoqëruese. Një panel ekspertësh ndërkombëtarë janë përpjekur të hartojnë sugjerime trajtimi për njerëzit me diabet dhe Covid-19, pavarësisht mungesës së provave të qarta shkencore. Ja, cilat janë pikat kryesore:


Parandalimi

Është thelbësore të bëjmë gjithçka për të parandaluar infeksionin nga Sars CoV-2 në popullatën diabetike. Pacientët duhet të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e kontrollit optimal metabolik (glicemi, presioni i gjakut, nivelet sierike të kolesterolit dhe triglicerideve), duke optimizuar çdo terapi në zhvillim e mbi të gjitha mosndërprerjen e tyre përveçse nën një mbikëqyrje të rreptë mjekësore. Kjo e fundit mund të bëhet gjithashtu nga distanca, me mjete telemjekësore ose komunikime përmes postës elektronike ose mesazheve sms. Terapia antihipertensive me sartane ose inhibitorë-ACE dhe terapia anti-kolesterol me statina, jo vetëm që nuk duhet të ndalet, por duhet vijuar me domosdo. Obeziteti dhe mbipesha janë gjithashtu faktorë të rëndësishëm rreziku për pacientët me Covid-19 (është e rëndësishme të mos ulet apo shtohet pesha) sepse zvogëlojnë vëllimin e mushkërive, ndryshojnë mekanikën respiratore dhe oksigjenimin gjatë ventilimit mekanik, veçanërisht në pozicionin shtrirë me shpinë. Këto subjekte kanë gjithashtu inflamacion kronik të shkallës së ulët dhe ndryshime të imunitetit, të rënduara nga prania e rezistencës ndaj insulinës, të cilat zvogëlojnë aftësinë e tyre për t'iu përgjigjur agjentëve infektivë.

 

Terapia antihiperglicemike

Te pacientët e shtruar në spital për Covid-19 është e nevojshme të bëhet kujdes për shfaqjen e mundshme të diabetit me një fillim të ri (virusi mund të sulmojë gjithashtu qelizat beta të pankreasit), duke monitoruar me kujdes sheqerin në gjak, elektrolitet dhe ketonet. Këta pacientë dhe ata që janë tashmë diabetikë, nëse vuajnë nga Covid-19 në formë të moderuar/të rëndë, në përgjithësi kërkojnë kalimin në terapi me insulinë intravenoze në doza të larta, me qëllim të ruajtjes së niveleve të sheqerit në gjak midis 72 dhe 180 mg/dl. Mund të jetë e nevojshme të ndërpritet metformina dhe inhibitorët SGLT2, por vetëm në rast të infeksionit të rëndë Sars CoV-2, për të shmangur përkatësisht rrezikun e acidozës laktike dhe ketoacidozës diabetike: në rast pezullimi, trajtimi i zgjedhur është insulina, ndërsa pezullimi "profilaktik" i këtyre barnave te pacientët e shëndetshëm, nuk ka kuptim.

 

Faza post-infektive

Sars-CoV-2 mund të shkaktojë ndryshime të qëndrueshme metabolike; pacientëve që i mbijetuan infeksionit u duhet bërë një monitorim shumë i hollësishëm kardio-metabolik në muajt në vijim. Ndërhyrjet e kirurgjisë metabolike gjithashtu duhet të shtyhen, ndërsa tek ata që tashmë i janë nënshtruar një operacioni, këshillohet që të monitorohet prania e ndonjë mangësie nutricionale (vitamina dhe mikronutrientë) të cilat mund të dobësojnë reagimin imunitar.
"Në këta muaj të urgjencës nga Covid-19 ne kemi fituar gradualisht përvoja të reja falë të cilave jemi munduar të zgjedhim qasjen tek individi me diabet, si në parandalimin e infektimit, ashtu edhe në administrimin e vetë diabetit gjatë infeksionit nga coronavirusi", thotë Paolo Di Bartolo, president i Shoqatës Italiane së Mjekëve Diabetologë (AMD). "Është shumë e rëndësishme të kemi rekomandime ndërkombëtare: ato na japin mundësi të krahasojmë ato që kemi mësuar në terren në vendin tonë, me përvojat e kolegëve të tjerë".
"Fillimi i fazës 2 dhe lëvizja më e madhe e njerëzve sigurisht që përfaqëson një moment kur vëmendja e njerëzve me diabet duhet të jetë edhe më e madhe dhe rregullat e distancimit social e mbrojtjes individuale duhet të respektohen edhe më shumë", komenton Francesco Purrello, president i Shoqatës Italiane të Diabetologjisë (SID). "Vëmendje e madhe duhet t'i kushtohet gjithashtu kontrollit metabolik, duke u konsultuar me diabetologun, edhe përmes sistemeve të vizitave në distancë".


Lancet Diabetes Endocrinol. 2020 Apr 23. [Epub ahead of print] doi:10.1016/S2213-8587(20)30152-2
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/32334646


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>