Mjekësi e përgjithshme

qer162020

Sëmundja Crohn. Të rinjtë e trajtuar me barna që kursejnë steroidet, zhvillojnë më pak fistula

Te fëmijët dhe të rriturit e rinj me sëmundjen Crohn, të ashtuquajturat barna "që kursejnë steroidet" mund të ndihmojnë në uljen gati 60% të rrezikut për zhvillim të fistulave perianale, sipas një studimi të ri të botuar në "Jama Network Open". Rreth një në tre pacientë me Crohn zhvillon këtë komplikacion, i cili është shumë i zakonshëm te fëmijët dhe mund të jetë i dhimbshëm, i vështirë për t'u trajtuar dhe dobësues. "Fistulat perianale kanë efekt shkatërrues në cilësinë e jetës së njerëzve me sëmundjen Crohn. Shumica e hulumtimeve deri më tani janë përqendruar në trajtimin e fistulave pasi ato ndodhin, por ne kemi zbuluar se terapia mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të tyre", thotë Jeremy Adler, nga Universiteti i Miçiganit, Ann Arbor, autori kryesor i punimit.

Studiuesit analizuan të dhënat e 2,214 vetëve nga 5 deri në 24 vjeç me sëmundjen e Crohn-it dhe me sigurime private në Shtetet e Bashkuara. 56% e pacientëve filluan terapinë me barna që kursejnë steroide, të tilla si azathioprine, metotrexate ose infliximab, përpara se të zhvillonin fistula perianale. Në përgjithësi, 20% e pjesëmarrësve në studim e zhvilluan këtë ndërlikim brenda dy viteve pas diagnostikimit dhe kjo ndodhi më rrallë te pacientët e trajtuar me barna që kursejnë steroidet. Për më tepër, njerëzit e trajtuar më parë me këto terapi ishin 55% më pak të predispozuar t'i nënshtroheshin operacionit për të krijuar një stomi, në rast të zhvillimit të fistulës. Ekspertët thonë se përkundër udhëzimeve të shoqatave mjekësore që rekomandojnë terapi me barna që kursejnë steroidet për trajtimin e sëmundjes së Crohn-it, të dhënat kombëtare tregojnë se pothuajse gjysma e pacientëve nuk i përdorin ato. Barriera të mundshme, sipas tyre, mund të jenë kostot dhe mbulimi i sigurimeve, ose mungesa e qartësisë për sigurinë e barnave dhe efektet e tyre anësore.

"Barnat që kursejnë steroidet janë përdorur prej dekadash dhe mund të jenë efektive në shërimin e fistulave anale, megjithëse ato përsëriten shpesh dhe zakonisht kërkojnë operacion. Sidoqoftë, kemi zbuluar se këto barna janë të lidhura në mënyrë të konsiderueshme me reduktimin e zhvillimit të komplikacioneve dhe në veçanti të fistulave dhe se ato mund të zvogëlojnë ashpërsinë e vetë fistulave te njerëzit që i kanë", përfundojnë autorët.


Jama Network Open 2020. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2020.7378
https://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2020.7378


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>