Mjekësi e përgjithshme

tet222020

Procedurat mjekësore që përfshijnë çlirimin e aerosolit, vënë në rrezik personelin shëndetësor

Autopsia, aspirimi i rrugëve respiratore dhe reanimacioni kardiopulmonar janë disa nga procedurat mjekësore që sjellin rrezikun e përhapjes së Covid-19 përmes aerosolit nga një pacient te personi që i ushtron ato, sipas një studimi të botuar në "BMJ Open Respiratory Research". "Ne u përpoqëm të kuptonim se cilat procedura gjenerojnë aerosol dhe në këtë mënyrë, kërkojnë një shkallë më të lartë të pajisjeve mbrojtëse personale", shpjegon Sebastian Straube, nga Universiteti i Albertës, autor senior i punimit.

Studiuesit kryen një rishikim sistematik të udhëzimeve të shëndetit publik, studimeve kërkimore dhe dokumenteve nga e gjithë bota, për të përcaktuar se cilat procedura klasifikohen tani si aerosol-gjeneruese. Procedurat e klasifikuara si aerosol-gjeneruese ose potencialisht aerosol-gjeneruese në të paktën 90% të dokumenteve, përfshijnë: autopsinë, procedurat kirurgjikale/post-mortem me pajisje me shpejtësi të lartë, procedurat e intubimit dhe ekstubimit, bronkoskopinë, induksionin e pështymës, ventilimin manual, aspirimin e rrugëve të frymëmarrjes, reanimimin kardiopulmonar, trakeostominë, ventilimin jo invaziv, terapinë me oksigjen me rrjedhë të lartë, prishjen e sistemeve të mbyllura të ventilimit, terapinë me nebulizim ose aerosol dhe ventilimin oshilator me frekuencë të lartë. Ekspertët kanë gjetur kontradikta midis burimeve për disa procedura, duke përfshirë manovrat orale dhe dentare, endoskopinë e traktit të sipërm gastrointestinal, operacionet e procedurat torakale dhe tamponin nazofaringeal dhe orofaringeal. Për këtë arsye, ata rekomandojnë që të bëhen hulumtime të mëtejshme në disa procedura për të cilat nuk kanë gjetur konsensus.

"Qëllimi ynë është të parandalojmë infektimin e punonjësve shëndetësorë me Covid-19, si për t'i mbrojtur ata si individë, ashtu edhe për të ruajtur nivelet e personelit në sistemet e kujdesit shëndetësor gjatë pandemisë. Punonjësit e shëndetësisë që kryejnë procedura gjeneruese të aerosolit duhet të mbajnë respiratorë me filtër për fytyrën, maska N-95 në Amerikën e Veriut, së bashku me pajisje të tjera mbrojtëse personale si doreza, përparëse dhe mbrojtëse për sytë", përfundojnë studiuesit.


BMJ Open Respiratory Research 2020. Doi: 10.1136/bmjresp-2020-000730
http://dx.doi.org/10.1136/bmjresp-2020-000730


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>