Mjekësi e përgjithshme

jan202021

Hartohet enzima ARN-polimerazë III, thelbësore në disa patologji dhe në ndjeshmërinë ndaj viruseve

Një grup studiuesish të udhëhequr nga Alessandro Vannini, drejtor i Qendrës së Kërkimit të Biologjisë Strukturore të Teknologjisë Njerëzore në Milano, ka publikuar një studim të ri në Nature Communications në të cilin komunikon se ka arritur të hartojë ARN-polimerazën III e njeriut, një enzimë themelore për jetën qelizore. Jo rastësisht, mutacionet e kësaj enzime mund të shkaktojnë, ndër të tjera, mbindjeshmëri ndaj viruseve dhe situatave serioze patologjike, siç janë çrregullimet e zhvillimit neurologjik dhe disa lloje të kancerit.

"Ky hulumtim i ri na lejon të identifikojmë se cilat janë dhe ku gjenden mutacionet që shoqërohen me patologji të shumta. Gjatë viteve të fundit, një numër i madh i mutacioneve gjenetike të ARN-polimerazës III janë identifikuar si përgjegjës për mbindjeshmërinë ndaj infeksioneve virale, për ndryshimet në zhvillimin korrekt të sistemit nervor qendror dhe për këtë arsye, për sëmundjet serioze neurodegjenerative. Kjo enzimë është gjithashtu "tepër aktive" në disa kancere. Prandaj, njohja e strukturës së detajuar së kësaj enzime do të ndihmojë në zhvillimin e terapive që veprojnë në mënyrë të shënjestruar", shpjegon Vannini, autori kryesor i studimit.
Studiuesit izoluan ARN-polimerazën III duke përdorur CRISPR/Cas9 e teknologji të tjera të inxhinierisë gjenetike dhe më pas e vizualizuan atë falë përdorimit të kriomikroskopisë elektronike, duke marrë pamjen e parë me rezolucion të lartë të strukturës së saj. Në këtë mënyrë, ata kanë qenë në gjendje të hartonin më shumë se 85% të mutacioneve të saj, në mënyrë shumë të saktë. Autorët besojnë se ARN-polimeraza III ka një shkallë të lartë të konservimit përsa u përket pjesëve të saj dhe gjithashtu për homologjinë në sekuencën e përbërësve individualë, por ata zbuluan se nënnjësia RPC5 e strukturës së saj përbën një përjashtim. Kjo nënnjësi, funksioni i së cilës aktualisht është i panjohur, duket se është shumë e rëndësishme për montimin e saktë të makromolekulës.

Ekspertët kanë parë se mutacionet që qëndrojnë në bazë të patologjive të zhvillimit neurologjik, të tilla si leukodistrofia hipomelinizuese, sindroma Treacher-Collins ose sindroma Wiedemann Rautenstrauch (WRS), kanë të bëjnë me zonën qendrore të enzimës dhe ndërhyjnë në stabilitet dhe në biogjenezë. Mutacione të tjera, të cilat përcaktojnë një mbindjeshmëri ndaj viruseve, në të vërtetë pozicionohen jashtë, afër zonave përgjegjëse për njohjen e ADN-së virale.


Nature Communications 2020. Doi: 10.1038/s41467-020-20262-5
https://doi.org/10.1038/s41467-020-20262-5


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>