Mjekësi e përgjithshme

pri92021

Sistemi imunitar. Efektet e infeksioneve virale kronike janë të krahasueshme me plakjen

Sipas një studimi të botuar në "Proceedings of the National Academy of Sciences" (PNAS), infeksionet virale kronike mund të kenë një ndikim të thellë dhe të qëndrueshëm në sistemin imunitar të njeriut, në mënyra të ngjashme me ato që vihen re gjatë plakjes. "Inflamacioni kronik që pason mosfunksionimin e sistemit imunitar, lidhet me shumë nga sëmundjet e pleqërisë", tha David Furmani, nga Universiteti i Stanfordit dhe Instituti Buck, Kaliforni, autor kryesor i studimit. "Mbetet ende një pyetje e hapur, nëse infeksioni viral kronik kontribuon në mosfunksionimin imunitar të lidhur me moshën, por studime të këtij lloji na ofrojnë një për të nisur marrjen e përgjigjeve. Në këtë pikë është e qartë që, si plakja, ashtu edhe infeksionet virale kronike lënë shenja të thella dhe të pashlyeshme në imunitet", vazhdon Furmani.

Studiuesit analizuan dhe krahasuan përgjigjet imune tek individët e moshuar, njerëz me HIV në terapi antiretrovirale afatgjatë dhe njerëz të infektuar me HCV para dhe pas trajtimit me sofosbuvir. Duke përfshirë konceptin e imunologjisë së sistemeve dhe duke analizuar në mënyrë holistike sistemin imunitar, ekspertët vunë re se ekziston njëfarë plasticiteti në përgjigjen imune dhe identifikuan ndryshimet në STAT1, faktori kryesor i transkriptimit të aktivizuar nga interferoni, i cili luan një rol të rëndësishëm në përgjigjet normale të imunitetit, në veçanti te patogjenet virale, mikobakteriale dhe kërpudhore. Në fakt, studimi tregoi se te pacientët me HIV, mosrregullimet tipike të sistemit imunitar në rast të infeksionit mbetën të dukshme pavarësisht nga trajtimi antiviral. Sidoqoftë, studiuesit gjithashtu vunë në dukje se trajtimi me sofosbuvir riktheu pjesërisht ndjeshmërinë qelizore ndaj interferonit-a, i cili pengon replikimin viral, te pacientët me HCV.

"Ky plasticitet do të thotë se ka vend për ndërhyrje si në infeksionet kronike virale, ashtu edhe te plakja. Gjithçka ka të bëjë me identifikimin dhe kuptimin e rrugëve dhe rrjeteve molekulare të përfshira", thotë Furmani. Autorët mendojnë se puna e tyre mund të jetë e dobishme si bazë për studime të tjera që na japin mundësi të kuptojmë nëse sistemi imunitar modifikohet vetëm nga infeksione kronike specifike, ose nëse edhe infeksione relativisht të shkurtra, por të fuqishme si Covid-19 mund të lënë një gjurmë të qëndrueshme.

 

PNAS 2021. Doi: 10.1073/pnas.2022928118
http://dx.doi.org/10.1073/pnas.2022928118


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>