dhj152020
Si arrin t'i shmanget COVID-it, sistemi imunitar i fëmijëve
Përgjigjja e pastërvitur imune e fëmijëve duket se është thelbësore për eliminimin e SARS-CoV-2.
Fëmijët e vegjël përbëjnë vetëm një përqindje të vogël në numrin e të infektuarve me COVID-19, një trend ky, që i ka çuditur shkencëtarët. Tashmë, një tërësi evidencash sugjerojnë se pse ndodh kjo: sistemi imunitar i fëmijëve duket se ka më shumë mjete për të eliminuar SARS-CoV-2 sesa ai i të rriturve.
"Fëmijët janë shumë më të përshtatur dhe shumë më të mirëpajisur për t'iu përgjigjur viruseve të reja", thotë Donna Farber, imunologe në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork. Edhe kur janë të infektuar me SARS-CoV-2, fëmijët ka më shumë të ngjarë të përjetojnë sëmundje të lehtë ose asimptomatike.
Një tjetër e dhënë që tregon se përgjigjja e fëmijëve ndaj virusit ndryshon nga ajo e të rriturve është se disa fëmijë zhvillojnë simptoma dhe antitrupa COVID-19 specifikë për SARS-CoV-2, por asnjëherë nuk rezultojnë pozitivë për virusin në një test standard RT-PCR. Në një studim, tre fëmijë nën dhjetë vjeç nga e njëjta familje zhvilluan antitrupa SARS-CoV-2 dhe dy prej tyre madje përjetuan simptoma të lehta, por asnjëri nuk rezultoi pozitiv në RT-PCR, pavarësisht se u testuan 11 herë në 28 ditë, ndërkohë që ishin në kontakt të ngushtë me prindërit e tyre, të cilët kishin rezultuar pozitivë.
Përgjigje e shpejtë
Sistemi imunitar i fëmijëve e sheh virusin "dhe ai thjesht nxit këtë përgjigje imune të shpejtë dhe efektive që e fik atë (virusin), para se të ketë një mundësi për t'u replikuar deri në atë pikë sa të dalë pozitiv në testin diagnostikues të tamponit", thotë Melanie Neeland, imunologia që studioi këtë familje, në Institutin Kërkimor të Fëmijëve Murdoch në Melburn, Australi.
Edhe te fëmijët që kanë përjetuar komplikacionin e rëndë, por të rrallë të quajtur sindroma inflamatore multisistemike në përgjigje të infeksionit SARS-CoV-2, studimet raportojnë se shkalla e rezultateve pozitive në RT-PCR varion nga vetëm 29%, në 50%.
Farberi thotë se llojet e antitrupave që zhvillojnë fëmijët japin të dhëna rreth asaj që po ndodh. Në një studim me 32 të rritur dhe 47 fëmijë të moshës 18 vjeç ose më të vegjël, ajo dhe kolegët zbuluan se fëmijët prodhonin kryesisht antitrupa që synonin proteinën kunj të SARS-CoV-2, të cilën virusi e përdor për të hyrë në qeliza. Të rriturit gjeneruan antitrupa të ngjashëm, por zhvilluan edhe antitrupa kundër proteinës nukleokapside, e cila është thelbësore për replikimin viral. Farberi thotë se proteina nukleokapside, zakonisht, lëshohet në sasi të konsiderueshme, vetëm kur një virus është i përhapur në trup.
Fëmijëve u mungonin antitrupat nukleokapside-specifikë, gjë që sugjeron se ata nuk po përjetojnë infeksion të përhapur, thotë Farberi. Përgjigjet imune të fëmijëve duket se janë në gjendje ta eliminojnë virusin para se të replikohet më shumë, thotë ajo.
Sistemi imunitar i përshtatur, kundrejt atij të lindur
Farberi sugjeron që arsyeja pse fëmijët mund ta neutralizojnë virusin është se qelizat e tyre T janë relativisht naive. Qelizat T janë pjesë e sistemit imunitar përshtatës të trupit, i cili mëson të njohë patogjenet që has gjatë gjithë jetës. Farberi thotë se për shkak se qelizat T të fëmijëve janë kryesisht të pastërvitura, ato mund të kenë një kapacitet më të madh për t'iu përgjigjur viruseve të reja; një fenomen që ajo po e studion më me hollësi.
Por prova të tjera sugjerojnë se situata nuk është aq e drejtpërdrejtë: një studim i njerëzve me COVID-19, që përfshinte 65 fëmijë dhe të rinj nën moshën 24 vjeç, së bashku me 60 të rritur, zbuloi se të rriturit kishin një përgjigje më të fortë të qelizave T ndaj proteinës kunj të virusit sesa fëmijët dhe të rinjtë. Por Farberi thotë se studimi mati përgjigjet e qelizave T të kujtesës, të cilat janë shumë më pak të zhvilluara te fëmijët, sesa aktiviteti naiv i qelizave T.
Aftësia e fëmijëve për të neutralizuar virusin mund të lidhet gjithashtu me faktin se ata kanë një përgjigje të fortë të lindur imune që nga lindja, thotë Alasdair Munro, i cili studion sëmundjet infektive pediatrike në Spitalin Universitar Southampton, Britani e Madhe. "Ka pasur disa sugjerime që shpejtësia dhe shkalla e përgjigjes së tyre të lindur imune mund të jetë mbrojtëse kundër nisjes së infeksionit", thotë ai, por ky efekt është i vështirë për t'u studiuar dhe ngre pyetjen pse ky fenomen nuk është parë me viruse të tjera që mund të shkaktojnë sëmundje të rëndë te fëmijët.
Faktorë të tjerë
Fëmijët janë gjithashtu rezervuari kryesor për coronaviruset sezonale që shkaktojnë ftohjen e zakonshme. Disa studiues kanë sugjeruar që antitrupat për këto coronaviruse mund të mbrojnë kundër SARS-CoV-2, por provat janë të përziera, thotë Munro.
Ndërkohë, ka prova se kur fëmijët janë të ekspozuar ndaj virusit, ata marrin një dozë më të vogël sesa të rriturit, sepse hundët e tyre përmbajnë më pak receptorë ACE211, të cilët virusi i përdor për të bërë hyrjen në qeliza. Kjo, gjithashtu, mund të shpjegojë pse COVID-19 është më pak i përhapur te fëmijët sesa te të rriturit, thonë studiuesit.
Munro thotë se nuk ka gjasa që të ketë një shpjegim të vetëm pse COVID-19 duket se prek fëmijët më pak se të rriturit. "Biologjia, zor se është aq e drejtpërdrejtë".
Burimi: nature.com