Pediatri

mar162021

Covid-19. I porsalinduri i infektuar në mitër. Virusi pëson mutacion pas lindjes

Një artikull i botuar në "British Journal of Obstetrics and Gynaecology" raporton rastin e një të porsalinduri të infektuar në mitër nga SARS-CoV-2 dhe tek i cili, disa ditë pas lindjes, u gjet një mutacion i virusit.

"Me sa dimë, ky është rasti i parë i ndryshimit të vazhdueshëm gjenetik në sëmundjen COVID-19 neonatale, në kontekstin e transmetimit intrauterin", shkruajnë Mehreen Zaigham (Spitali Universitar Skåne në Suedi) dhe bashkëpunëtorët. Studimi përshkruan se si nëna e fëmijës, një grua 27-vjeçare paksa në mbipeshë, por e shëndetshme, u shtrua në spital sepse raportoi tre ditë ethe, dhimbje barku e pakësim të lëvizjes së fetusit dhe një ditë kollë të thatë. Kështu, u mor vendimi që të bëhet operacion cezarian për shkak të rrahjeve të ulëta të zemrës që u vunë re te fetusi, gjë që mund të tregonte furnizim të ulët me oksigjen, siç konfirmohet nga testet e gjakut të kryera tek i porsalinduri pas lindjes.

Nga ana tjetër, një tampon faringeal konfirmoi infeksionin nga SARS-CoV-2 si te nëna, e cila e mori veten disa ditë (4) pas lindjes, ashtu edhe te foshnja. Për këtë të fundit, meqenëse lindi në javën e 34-tërt, kanë qenë të nevojshme kura neonatale. Sidoqoftë, nuk ka patur simptoma të rënda nga COVID-19 dhe ka zhvilluar antitrupa. Siç tregohet nga sekuencimi i virusit, i porsalinduri ishte infektuar në mitër. Duhet theksuar se ai ishte izoluar menjëherë pas lindjes dhe nuk kishte asnjë kontakt me nënën e tij ose të afërm të tjerë. Falë një sekuencimi të dytë, të kryer disa ditë pas lindjes, u arrit të vërehej një ndryshim në molekulat virale te foshnja. Virusi kishte pësuar mutacion, një lloj mutacioni i quajtur A107G. Ky ndryshim gjenetik, i pari që raportohet për SARS-CoV-2 te një i porsalindur i infektuar në mitër, mund të jetë stimuluar nga kontakti i foshnjës me mjedisin e jashtëm.

Nga analiza të tjera u zbulua gjithashtu se placenta ishte dëmtuar në gjysmën e indeve të saj dhe në veçanti kishte një inflamacion të përhapur dhe u gjetën proteina të coronavirusit, si në anën e brendshme, ashtu edhe në anën e jashtme. Për autorët, nga ky rast merren dy mësime: "Transmetimi vertikal intrauterin është një komplikacion i rrallë i COVID-19 në shtatzëni që mund të çojë në mosfunksionim të placentës dhe pasoja klinike për të porsalindurin. Gjithashtu, transmetimi intrauterin i SARS-CoV-2 nuk mund të ketë domosdoshmërisht një rezultat të rëndë neonatal", përfundojnë ata.

 

BJOG 2021. Doi: 10.1111/1471-0528.16682
https://doi.org/10.1111/1471-0528.16682


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>