Mjekësi e përgjithshme

qer292021

Qelizat T janë në gjendje ta luftojnë citomegalovirusin edhe kur "fshihet". Ja, se si

Trupi është në gjendje ta luftojë citomegalovirusin përmes një popullate të veçantë të limfociteve T-vrasëse dhe mekanizmi me të cilin funksionojnë këto qeliza u raportua në një studim ndërkombëtar të mbështetur nga AIRC-ja, në të cilin morën pjesë Spitali i Fëmijëve "Bambino Gesù" dhe Universiteti i Gjenovës, botuar në "Science Immunology". "Karakteristika e veçantë e popullatës së qelizave T-vrasëse mund të hapë rrugën për strategji të reja terapeutike që do të jenë në gjendje t'i shfrytëzojnë sa më shumë, duke i forcuar ose duke nxitur një proliferim të gjerë te pacientët me infeksione serioze virale, përfshirë Covid-19, ose me kancer", shpjegon Lorenzo Moretta, nga Spitali Bambino Gesù në Romë, bashkautor i studimit.

Studiuesit kanë identifikuar mekanizmin me të cilin këto qeliza njohin citomegalovirusin dhe e eliminojnë atë. Kjo popullatë e limfociteve T-vrasëse përveçse ka një sensor TCR (T-cell receptor) të përbashkët për limfocite T të tjera që bën njohjen e proteinave të huaja, është i pajisur edhe me receptorë të tjerë, të njëjtë me ato të qelizave Natural Killer (NK). Këta sensorë shtesë janë në gjendje të bllokojnë infeksionin nga citomegalovirusi duke gjetur qelizat e infektuara dhe duke i eliminuar ato. Për më tepër, studimi zbuloi se nëse qelizat virale arrijnë të fshehin strukturën e tyre proteinike, limfocitet T-vrasëse arrijnë të kuptojnë gjithsesi se citomegalovirusi është i pranishëm, përmes sinjaleve të tjera, siç është prodhimi i proteinave "të stresit" nga qelizat që janë të infektuara ose që i janë nënshtruar një transformimi tumoral. Autorët theksojnë mundësinë për ta shfrytëzuar zbulimin nga një këndvështrim terapeutik, por edhe parandalues, për shembull për të shmangur riaktivizimin e citomegalovirusit te pacientët e imunosupresuar, siç janë ata që po bëjnë transplantim të palcës së kockave.
Mendohet se kjo terapi "qelizore" mund të mbështesë imunoterapitë me frenues të pikave të kontrollit ose lloje të tjera të trajtimit. Sidoqoftë, nuk i shpëton faktit se mekanizmi i zbuluar nga studiuesit, në të cilin qelizat T vrasëse identifikojnë qelizat e infektuara, por "të maskuara" nga qeliza të shëndetshme, mund të jetë e zakonshme edhe për imunoterapinë e tumoreve, një situatë në të cilën struktura proteinike e qelizave kancerogjene është e ngjashme me atë të qelizave normale. Edhe në atë rast, pra, kur nuk është e mundur që qelizat T vrasëse të njohin dhe vrasin qelizat tumorale përmes sensorit TCR, kjo mund të ndodhë falë ndihmës së receptorëve NK.

 

Science Immunology 2021. Doi: 10.1126/sciimmunol.abe9057
http://doi.org/10.1126/sciimmunol.abe9057 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>