shk272024
Lija e majmunit. Vaksinimi me dy doza MVA-BN, efikas dhe i sigurt
Një studim i kryer nga Instituti Kombëtar për Sëmundjet Infektive (INMI) Lazzaro Spallanzani në Romë, me rastin e fushatës së vaksinimit 2022-2023 kundër Mpox (ish-lija e majmunit), e nisur urgjentisht gjatë vatrës epidemike që preku 18 shtete të botës, tregon se "vaksina MVA-BN është e sigurt, tolerohet mirë dhe është imunogjene në një kohë të shkurtër, edhe te personat me HIV", pohon koordinatorja e studimit, Valentina Mazzotta. Ajo thekson se preferohet administrimi i dy dozave, pavarësisht nga historia e mëparshme e vaksinimit për linë, veçanërisht te njerëzit me HIV, në mënyrë që të maksimizohet përgjigjja neutralizuese dhe e qelizave T.
Spallanzani, qendra e vetme e vaksinimit Mpox në Lacio, kreu një studim mbikëqyrës, të emërtuar "Mpox-Vac" me qëllim studimin e përgjigjes imunitare ndaj vaksinimit dhe efekteve anësore të lidhura me vaksinën. Të dhënat e publikuara përshkruajnë përgjigjen imunologjike, qoftë humorale, qoftë edhe qelizore, të vëzhguar pas një muaji nga përfundimi i vaksinimit.
"Pas administrimit të çdo doze, u vu re një shtim i antitrupave neutralizues të virusit, si edhe përgjigjet e limfociteve T në të gjithë pjesëmarrësit e studimit, madje edhe tek individët e infektuar me HIV. Përgjigjja u vlerësua më pas në nëngrupet e zgjedhura sipas llojit të skemës së vaksinimit të kryer (dozë e vetme apo e dyfishtë) dhe sipas pranisë së infeksionit HIV. Individët që iu nënshtruan vetëm një doze, pra, ata që ishin vaksinuar më parë për linë e njeriut, kishin një përgjigje më të vogël të qelizave T, krahasuar me ata që u ishin nënshtruar të dyja dozave. Ndër individët e infektuar me HIV, edhe përgjigjja e antitrupave neutralizuese ishte më e dobët tek ata që i ishin nënshtruar një doze, krahasuar me ata që u ishin nënshtruar të dyjave", pohon Mazzotta. Sipas studiueses, këto rezultate na rekomandojnë të administrojmë dozën e dytë të vaksinës edhe tek ata individë që janë vaksinuar nga lija vite më parë, sidomos tek ata të prekur nga HIV. Rezultatet në fjalë, përputhen me të dhëna të tjera ndërkombëtare dhe me rekomandimet e CDC-ve në SHBA, të cilat argumentojnë se numri i përforcuesve të administruar lidhet me forcimin e përgjigjes imune. Efektet anësore të konstatuara janë kryesisht të gradës së lehtë. Duhen kryer studime të mëtejshme me qëllim vlerësimin e kohëzgjatjes afatgjatë të imunitetit dhe stabilizimin e specifikave të lidhura me mbrojtjen. Në Mpox, strategjia e vaksinimit mbetet mjeti kryesor për kontrollin e rrezikut për rikthimin e epidemisë së infeksionit dhe për reduktimin e incidencës së rasteve të rënda, sidomos tek individët me depresion imunitar", përfundon koordinatorja e studimit.