kor282021
Covid-19. Sa zgjat imuniteti te të vaksinuarit dhe të shëruarit? Studimet e fundit
Ka shumë debate mbi kohëzgjatjen e imunizimit te njerëzit që janë vaksinuar kundër Sars-CoV-2 dhe tek ata që kanë fituar imunitet natyror duke qenë se e kanë kaluar sëmundjen. Në këtë drejtim, disa studiues britanikë raportuan, në një letër kërkimore të botuar në Lancet, se antitrupat e gjeneruar nga doza e dytë e vaksinës priren të pakësohen që pas gjashtë javësh. Ky fakt mund të nënkuptojë nevojën për një dozë shtesë, nëse jo për të gjithë, të paktën për njerëzit më të brishtë, megjithëse është e rëndësishme të theksohet se trupi është në gjendje të përdorë mbrojtje të tjera, të tilla si qelizat B dhe T të memories, përveç antitrupave të dozueshëm.
Studiuesit arritën në këto përfundime duke analizuar mostrat e gjakut të 605 njerëzve të grupmoshës 50-70 vjeç, që e kishin përfunduar vaksinimin me Pfizer ose Astrazeneca, duke vënë re se midis tre dhe gjashtë javësh pas dozës së dytë, niveli i antitrupave fillon të bjerë dhe është dukshëm më i ulët pas 10 javësh, duke shkuar nga 7,500 njësi për mililitër në 3,320 për Pfizerin dhe nga 1,200 në 190 për Astrazeneca-n. "Ne e dimë që antitrupat bien pas një periudhe të caktuar në të gjitha vaksinat, por kjo nuk do të thotë që trupi nuk është më në gjendje të përgjigjet; ka qeliza të tjera të sistemit imunitar që mund të hyjnë në veprim. Edhe nëse niveli i antitrupave bie, në fakt, qelizat B dhe T mund të mbrojnë shumë mirë nga sëmundja e rëndë", shpjegon Robert Aldridge, nga University College London, autor i punimit. Rënia mund të jetë një shkak shqetësimi sidomos në këtë kohë, kur në Britaninë e Madhe ka një qarkullim të lartë të variantit delta dhe sugjerohet një strategji vaksinimi që përfshin administrimin e mëtejshëm.
Ndërkohë, një analizë e kryer nga grupi i Andrea Crisanti në Universitetin e Padovës, me bashkëpunimin e Kolegjit Imperial të Londrës dhe botuar në Nature Communication, zbuloi se antitrupat natyrorë kundër SARS-CoV-2 janë ende të dukshëm te pacientët nëntë muaj pas shërimit. "Një nga elementet më të rëndësishme që del nga ky punim është pikërisht që pacientët që ishin infektuar në shkurt 2020, kishin ende nivele të rëndësishme të antitrupave në gjak në nëntor dhe kjo, pavarësisht nga lloji i infeksionit, si në mesin e pacientëve simptomatikë, ashtu edhe atyre asimptomatikë", shpjegon Crisanti. Në nëntor, në të vërtetë, 98.8 e pacientëve që ishin pozitivë ndaj virusit në maj ende treguan një reagim ndaj të paktën një antigjeni dhe 18.6% madje treguan një shtim të antitrupave. Ky studim sugjeron që përgjigjja imune nuk është proporcionale me simptomat e paraqitura dhe, së bashku me provat e fundit që janë shfaqur, mund të ndryshojnë kohën e vaksinimit të njerëzve tashmë të shëruar, e cila sipas rregullave aktuale duhet të bëhet me një dozë të vetme të vaksinës në një periudhë kohe që varion nga tre deri në gjashtë muaj pas shërimit. Nënsekretari i shtetit në ministrinë italiane të Shëndetësisë, Andrea Costa, në fakt, ka deklaruar se po vlerësohet zgjatja e periudhës së përshtatshme për administrimin e vaksinimit, e cila duhet të shkojë deri në 12 muaj.
https://doi.org/10.1016/S0140-6736(21)01642-1
https://doi.org/10.1038/s41467-021-24622-7