shk102022
Covid-19. Sa zgjasin antitrupat te të shëruarit dhe tek asimptomatikët?
Shumica e njerëzve që janë sëmurë me Covid-19, veçanërisht, ata që kalojnë formë të rëndë të sëmundjes, kanë antitrupa neutralizues kundër coronavirusit për të paktën 16 muaj. Kjo ka dalë nga një studim i Universitetit Jugor të Shkencës dhe Teknologjisë në Shenzhen, botuar në Nature Microbiology.
Të kuptuarit e kohëzgjatjes së mbrojtjes së fituar pas takimit me virusin SARS-CoV-2 është një nga pyetjet që ka magjepsur më shumë studiuesit, që nga fillimi i pandemisë.
"Është demonstruar se coronaviruset humane sezonale nxisin përgjigje jetëshkurtër të antitrupave dhe riinfeksioni me të njëjtin coronavirus sezonal ndodh shpesh në 12 muajt pas infektimit. Megjithatë, dy coronaviruset që shkaktojnë sëmundje serioze te njerëzit (SARS-CoV dhe MERS-CoV) nxisin përgjigje më të forta të antitrupave, që zgjasin deri në 3 vjet", shpjegojnë studiuesit.
Në rastin e SARS-CoV-2, nuk ka ende të dhëna përfundimtare. Hulumtimi i ri shqyrtoi 214 pacientë të cilët u ndoqën për gati 16 muaj. 51 prej tyre kishin një infeksion të rëndë, 134 të lehtë dhe 29, ishin plotësisht asimptomatikë. Duke studiuar tendencën e antitrupave neutralizues (veçanërisht antitrupat IgG të drejtuar kundër pjesës RBD të proteinës spike), studiuesit zbuluan se përgjigjja imune arrin kulmin rreth tre muaj pas infektimit; atëherë fillon një rënie e ngadaltë e ndjekur nga stabilizimi në një nivel antitrupash i cili ende konsiderohet mbrojtës. Këto nivele u ruajtën deri në testin e fundit të kryer te vullnetarët, 480 ditë pasi morën infeksionin. Megjithatë, jo të gjithë pacientët kishin të njëjtën përgjigje imune: studiuesit zbuluan se pas 1 viti, 14% e atyre me një infeksion të lehtë dhe 50% e atyre me infeksion asimptomatik, nuk kishin nivele të dallueshme të antitrupave neutralizues.
Studimi tregoi gjithashtu një rënie në efektivitetin e antitrupave kundër varianteve Beta, Delta dhe Mu. Nuk ka dhëna për variantin Omicron.