shk172022
Oliguria lidhet me vdekshmërinë në dëmtimin renal akut
Sipas një studimi të publikuar në Jama Network Open, oliguria që zgjat më shumë se 12 orë, ka implikime të rëndësishme diagnostike mbi dëmtimin renal akut dhe është e lidhur me rezultatet, pavarësisht shtimit të kreatininës sierike. "Përkufizimi aktual dhe ndarja në faza e dëmtimit renal akut merr parasysh ndryshimet në nivelin e kreatininës në serum dhe të diurezës. Megjithatë, rëndësia e kritereve të bazuara në oliguri, është e diskutueshme", thotë Nathan Axel Bianchi, nga Qendra Spitalore Universitare Vaudois dhe Universiteti i LozanësZvicër, autori i parë i studimit.
Për të kuptuar më mirë kontributin e oligurisë në diagnostikimin e dëmtimit renal akut, vlerësimin e ashpërsisë dhe rezultatet afatshkurtra dhe afatgjata, studiuesit studiuan 15,620 pacientë me moshë mesatare 65 vjeç, me rezultat mesatar në Simplified Acute Physiology Score II prej 40.0 dhe ndjekje mesatare prej 67.0 muajsh, nga të cilët 12,143 plotësonin kriteret për dëmtim renal akut. Subjektet u shtruan në një njësi të terapisë intensive multidisiplinare nga 1 janari 2010 deri më 15 qershor 2020 dhe pacientët që iu nënshtruan dializës afatgjatë dhe ata që refuzuan, u përjashtuan nga analiza.
Kriteret e kreatininës sierike dhe diurezës kishin një përputhje të dobët përsa i përket diagnostikimit dhe ndarjes në faza të dëmtimit renal akut. Krahasuar me përdorimin e izoluar të kritereve të bazuara në kreatininë, marrja në konsideratë e kritereve të bazuara në diurezë dha mundësi për identifikimin e dëmtimit renal akut te 5630 pacientë. Ata pacientë kishin vdekshmëri më të lartë 90-ditore sesa pacientët pa dëmtim renal akut. Në analizën me shumë ndryshore, e cila mori parasysh fazën e kreatininës, të sëmundjeve shoqëruese dhe të ashpërsisë së sëmundjes, KDIGO (Kidney Disease: Improving Global Outcomes) fazat 2 dhe 3 të oligurisë u lidhën me vdekshmëri më të lartë 90-ditore. Këto rezultate mbetën të rëndësishme në të gjitha analizat e ndjeshmërisë.
JAMA Network Open 2021. Doi: 10.1001/jamanetworkopen.2021.33094
http://doi.org/10.1001/jamanetworkopen.2021.33094