shk152024
Ethet tropikale. Edhe ata që infektohen për herë të parë, mund të sëmuren rëndë
Studimi i publikuar në Nature Medicine zbulon se edhe ata që infektohen për herë të parë me virusin e etheve tropikale (virusi Dengue) mund të sëmuren rëndë dhe raste të tilla të rënda nuk janë vetëm ato me infeksion sekondar. Analiza e rasteve të rënda me ethe tropikale e një grupi të madh fëmijësh në Indi tregoi se më shumë se gjysma mund t'i atribuohet infektimit primar dhe jo atij sekondar.
Infektimet me ethe tropikale janë rritur ndjeshëm dy dekadat e fundit, veçanërisht në Indi. Ekzistojnë 4 stereotipa të virusit dhe pacientët me këtë sëmundje përgjithësisht ndahen në dy kategori, si: ata që infektohen për herë të parë, të njohur si të sëmurë me infeksion primar, dhe ata që riinfektohen pas një ekspozimi të mëparshëm, të njohur si të prekur nga infeksionet sekondare. Deri më tani, mendohej se vetëm infeksionet sekondare paraqisnin rreziqe të rëndësishme, duke bërë që pjesa më e madhe e kërkimeve për zhvillimin e vaksinës dhe të trajtimit të fokusohej në këtë grup. Studimi i ri, i kryer në Indi dhe i bazuar në një kampionim të gjerë, tregoi se jo vetëm infeksionet sekondare, por edhe ato primare mund të jenë të rënda dhe të vënë në rrezik jetën e pacientit. Me anë të këtij zbulimi nevojitet të rivlerësohet përkufizimi i etheve tropikale dhe sidomos i strategjive të duhura për luftimin e tyre.
"Infektimi nga virusi i etheve tropikale është një problem shumë i madh për shëndetin publik dhe shumë pacientë zhvillojnë një sëmundje të rëndë, që me raste mund të jetë edhe fatale. Mirëpo, pjesa më e madhe e studimit të kryer mbi ndërhyrjet e vaksinave bazohet në bindjen se infeksionet primare të etheve tropikale nuk janë të rrezikshme në përgjithësi (e përhapur aktualisht në botë). Studimi ynë vë në diskutim këtë bindje të përhapur aktualisht, duke e kthyer fokusin te infeksionet primare", thekson autori i studimit Anmol Chandele. Ky zbulim ka ndërlikime të rëndësishme për zhvillimin dhe zbatimin e strategjive efektive dhe të sigurta të vaksinimit, jo vetëm në Indi.
"Në Itali, për vitin 2023, kemi pasur numrin më të madh të rasteve dhe transmetimeve indigjene të etheve tropikale deri më tani. Sidomos ndryshimet klimatike, por edhe zhvendosjet e njerëzve, janë përgjegjësit më të mëdhenj të qarkullimit në zona të reja. Studimi i kolegëve indianë tregon nevojën për të mbrojtur edhe popullsinë tonë që nga ndeshja fillestare me virusin", pohon kreu i laboratorit të virologjisë molekulare të Icgeb, Alessandro Marcello.