Mjekësi e përgjithshme

qer122024

ECDC: Me ndryshimet klimatike, shtohen vatrat e virusit të Nilit Perëndimor dhe etheve tropikale

Për shkak të ndryshimit klimatik dhe globalizimit, në Evropë po shtohen infeksionet e transmetuara nga mushkonjat. "Të dhënat më të fundit të Bashkimit Evropian/Hapësirës Ekonomike Evropiane tregojnë një tendencë në rritje në rastet me ethe tropikale (virusi Dengue) të importuara, por edhe një numër të lartë të vatrave vendase të virusit të Nilit Perëndimor dhe etheve tropikale", deklaron Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Masat për mbrojtjen individuale, të kombinuara me ndërhyrje për kontrollin e insekteve vektorë, konstatimi i hershëm i rasteve, mbikëqyrja e shpejtë në kohë, aktivitetet e mëtejshme të studimeve dhe ndërgjegjësimit, janë thelbësore në zonat më në rrezik të Evropës", paralajmëron drejtoresha e ECDC, Andrea Ammon.

Për ethet tropikale, në vitin 2023 në BE/HEE u regjistruan 130 raste vendase, jo infeksione të importuara, por të marra në vend, krahasuar me 71 raste për vitin 2022 dhe 73 për dhjetëvjeçarin 2010-2021. Rastet e importuara shkuan nga 1.572 për vitin 2022 në më shumë se 4.900 për vitin 2023, duke u bërë shifra më e lartë e regjistruar që nga fillimi i mbikëqyrjes në vitin 2008. Megjithatë, ky vit nuk do të jetë më mirë sipas të dhënave të ECDC-së, të cilat evidentojnë se në muajt e parë të vitit 2024, disa vende kanë raportuar rritje të konsiderueshme të rasteve me ethe tropikale së importuara, gjë që sugjeron se numrat mund të rriten më tej gjatë vitit. Ndërsa, përsa i përket virusit të Nilit Perëndimor, në vitin 2023 u raportuan 713 raste të marra në mënyrë vendase në 123 rajone të 9 vendeve të BE-së, 22 prej të cilave nuk kishin raportuar infektime vendase më parë. Vitin e kaluar u raportuan edhe 67 vdekje. Edhe pse në përgjithësi numri i rasteve të raportuara është më i ulët krahasuar me vitin 2022 (1.133), numri i rajoneve të prekura është më i larti që nga piku i vitit 2018, gjë që tregon një qarkullim të gjerë gjeografik të virusit. "Në Evropë, po shohim se si ndryshimet klimatike po krijojnë kushte më të favorshme për përhapjen e mushkonjave në zonat e paprekura më parë, me më shumë individë të prekur nga sëmundjet e tilla si ethet tropikale. Rritja e numrit të fluturimeve ndërkombëtare nga vendet ku ethet tropikale janë endemike, do të shtojë rrezikun për importim të rasteve, si dhe për epidemi vendase.

Sëmundjet nga mushkonjat rriten së bashku me vektorët e tyre. Aedes albopictus, mushkonja tigër që është në gjendje të transmetojë virusin e etheve tropikale, virusin Chikungunya dhe atë Zika, po përhapet akoma më shumë në veri, lindje dhe perëndim të Evropës. "Parashikohet që ndryshimet klimatike do të kenë një ndikim të konsiderueshëm në patologjitë e transmetuara nga mushkonjat në Evropë, duke krijuar kushte mjedisore të favorshme për grumbullimin dhe shumimin e popullatave të mushkonjave. Këtë vit në Sevilje të Spanjës, u raportua një rast i konfirmuar me virusin e Nilit Perëndimor, i marrë në mënyrë vendase, me shfaqje të simptomave në fillim të marsit. Edhe pse bëhet fjalë për një rast të izoluar, transmetimi i virusit mund të verifikohet më shpejt gjatë vitit, me shumë mundësi për shkak të kushteve klimatike të favorshme. ECDC rikujton se zbatimi i masave të koordinuara për kontrollin e mushkonjave është një element kyç në luftën kundër këtyre infeksioneve dhe do të duhen më shumë studime për zhvillimin e mjeteve efikase, por ekologjike, me qëllim menaxhimin e popullatave të mushkonjave. Në të njëjtën kohë, njerëzit do të ndërgjegjësoheshin mbi pjesën e tyre me anë të veprimeve të thjeshta, sesi të heqin ujin e ndenjur në kopshte dhe ballkone, si dhe për mbrojtjen nga pickimet me veshje që mbulojnë pjesën më të madhe të trupit, me ilaçe kundër insekteve, me rrjeta kundër mushkonjave në dyer dhe dritare, si dhe me ajrimin e mjediseve ku pushojmë, apo flemë.  Por, që këto masa të përdoren gjerësisht, ekspertët thonë se duhen fushata efektive që synojnë publikun e gjerë. Nga ana e autoriteteve, mbikëqyrja e përforcuar dhe zbulimi i hershëm i rasteve të importuara dhe vendase mbeten thelbësore.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>