qer272024
Droga. OBSH: më shumë se 3 milionë të vdekur çdo vit nga konsumi i substancave dhe alkoolit
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) lëshoi një raport, nga i cili rezultoi se 2.6 milionë të vdekur në vit i atribuohen konsumit të alkoolit, pra 4.7% e numrit total dhe 0.6 milionë përdorimit të substancave psikoaktive. Në veçanti, 2 milionë të vdekur nga alkooli dhe 0.4 milionë nga droga ishin meshkuj.
Ky raport ofron një përditësim të plotë, të bazuar në të dhënat e vitit 2019, mbi ndikimin e konsumit të alkoolit dhe drogave në shëndetin publik dhe në situatën e konsumit të alkoolit dhe në atë të trajtimit të çrregullimeve nga përdorimi i substancave në të gjithë botën. Afro 400 milionë vetë në botë jetojnë me çrregullime nga përdorimi i alkoolit dhe drogave, sipas këtij dokumenti. Nga këta, 209 milionë vetë janë të varur nga alkooli.
"Përdorimi i substancave e dëmton rëndë shëndetin e njeriut, duke shtuar edhe rrezikun për sëmundje kronike dhe për probleme të shëndetit mendor, si dhe duke shkaktuar në mënyrë tragjike miliona vdekje të shmangshme çdo vit. Ky fakt përbën edhe një barrë të rëndë për familjet dhe komunitetet, duke shtuar ekspozimin ndaj incidenteve, lezioneve dhe dhunës", evidenton drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Me qëllim ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme dhe të barabartë në vazhdimësi, duhet të angazhohemi urgjentisht në përpjekjet për reduktimin e pasojave shoqërore dhe shëndetësore negative të konsumit të alkoolit dhe për t'i bërë trajtimet e çrregullimeve nga përdorimi i substancave, të aksesueshme dhe të leverdishme. Ky raport evidenton nevojën urgjente për përshpejtimin e veprimeve në botë, me qëllim arritjen e objektivit të zhvillimit të qëndrueshëm 3.5 brenda vitit 2030, duke reduktuar konsumin e alkoolit dhe drogave, si dhe duke përmirësuar qasjen ndaj trajtimeve cilësore për çrregullimet nga përdorimi i substancave.