qer132014
Ekspertët sqarojnë gjithcka mbi probiotikët
Në tetorin e shkuar u mbajt një takim midis ekspertëve të vendeve të ndryshme nga International Scientific Association for Probiotics and Prebiotics për të diskutuar mbi probiotikët dhe për të përditësuar përkufizimet mbi këtë temë. Rezultatet e takimit - i cili u ndoq nga gastroenterologët, pediatrit, mjekët e familjes dhe gjithashtu ekspertë të florës bakteriale dhe imunologë - janë botuar kohët e fundit në revistën Nature Reviews Gastroenterologji & Hepatology. "Pas vlerësimit të kujdesshëm të kërkimeve botuar mbi këtë temë gjatë viteve, ne kemi arritur në përfundimin se përkufizimi i mësipërm i një probiotiku duhet rishikuar dhe përditësuar, dhe se termi mund të aplikohet vetëm në lloje të caktuara bakteresh të njohur dhe të studiuar," shpjegojnë autorët e dokumentit, të bindur se një përkufizim më i saktë i termit do të jetë ndihmë e madhe jo vetëm për studiuesit, mjekët dhe infermieret, por edhe për prodhuesit, rregullatorët e tregut dhe konsumatorët. Nuk do të thotë t'ia fillosh nga e para për të arritur në një përkufizim të termit që përdorim: përkufizimi dhe udhëzimet zyrtare tashmë ekzistojnë, por datojnë në vitin 2001 dhe 2002, kur ekspertët e FAO / WHO u mblodhën për të diskutuar mbi probiotikët, një fushë emergjente e shkencës në atë kohë. Dhe këtu po ju sjellim përkufizimin që tashmë ka mbushur 13 vjeç: "Probiotikët janë mikroorganizma të gjalla të cilat kur administrohen në doza adekuate, sjellin përfitim shëndetësor për ata që i marrin ata". Ky përkufizim u përhap në fillim dhe tani përdoret gjerësisht dhe është pranuar në të gjithë botën së bashku me udhërrëfyesit e publikuara një vit më vonë. "Që atëherë, shumë studime janë kryer për probiotikët madje janë hedhur në treg shumë produkte që i përmbajnë ato", shpjegon Colin Hill i Alimentary Pharmabiotic Center në Irlandë, i cili vazhdon: "Për fat të keq, gjatë viteve janë rritur edhe rastet e keqpërdorimit të termit dhe janë hedhur në treg si probiotikë shumë produkte që në të vërtetë nuk tejkalojnë kërkesat minimale të përcaktimit si i tillë." Edhe prej këtu nis domosdoshmëria për të marrë në dorë dokumentat e FAO/WHO dhe për ti përditësuar duke pasur parasysh zhvillimin e shkencës dhe tëknologjisë. Edhe pse rregullatorët kanë treguar gjithnjë e më shumë interes për përfshirjen e probiotikëve në treg, sidomos në mënyrë që të mbrojë konsumatorët nga reklamimet fallco dhe të pasakta mbi produktet, ndaj ishte koha për të shqyrtuar materialet në dispozicion dhe për të dhënë udhëzime të qartë për të gjithë personat e përfshirë. "Qëllimi i punës sonë është që tu sigurojë të gjithëve (konsumatorët, ligjvënësit, studiuesit, punonjësit e kujdesit shëndetësor) udhëzime të qarta për përcaktimin dhe përdorimin e probiotikëve, një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të shëndetit dhe mirëqenies," shton Hill i cili së bashku me kolegët e tij ka vlerësuar të gjitha aspektet në fushën e probiotikëve, duke filluar nga studimet gjenetike e deri tek tregtimi dhe reklamat. "Dhe për të përfunduar punën kemi propozuar edhe një sërë standardesh që diferencojnë produktet e ndryshëm në treg në bazë të të dhënave shkencore të disponueshme deri më sot," përfundon ai.