kor12014
Dr.Engjëll Bejtaj: Së shpejti Tirana do të ketë Spital Rajonal
Në prezencën e Ministrit të Shëndetësisë Z. Beqaj u përurua në ambientet e Spitalit Universitar të Sëmundjeve Pulmonare "Shefqet Ndroqi" në Tiranë pavioni më i ri i shërbimit të Kirurgjisë së Përgjithshme, Ortopedisë dhe Këmbës Diabetike. Ky shërbim i ri i ngritur në ambientet e spitalit ekzistues, i vjen në ndihmë komunitetit por edhe stukturave shëndetësore pasi ul ngarkesën që krijohet në
Qëndrën Spitalore "Nënë Tereza". Në Tiranë aktualisht nuk ka një spital që të funksionoj si Spital Rajonal, prandaj kanë nisur procedurat që spitali aktual i mushkërive të shndërrohet në Spital Rajonal duke patur parasysh nevojat që Tirana ka, pasi numri i popullsisë është shtuar në mënyrë të ndjeshme. Ky shërbim do ti ofrohet më shumë se 100 mijë banorëve. Sistemi i referimit, pra poliambulancat dhe ambulancat e specialiteteve të komunave të Farkës, Baldushkut, Bërzhitës, Petrelës, si dhe Qytet Studenti dhe Njësia Bashkiake nr.1 do të mund të nisin pacientët e tyre drejt spitalit për ndërhyrjet kirurgjikale e nevojshme.
"Pavioni i Kirurgjisë ka një kapacitet prej 40 shtretërish, katër salla operatore të reja dhe bashkëkohore, të paisura me infrastukturën dhe paisjet e duhura për të kryer ndërhyrjet kirurgjikale e nevojshme. Aktualisht kryhen 25-30 operacione në javë që përfshijnë të gjithë trakatin gastro-intestinal, operacionet rekonstruktive si herniet etj", shprehet
Dr.Engjëll Bejtaj, shef i Shërbimit të Kirurgjisë pranë
Spitalit Universitar "Shefqet Ndroqi". "Gjithashtu në kuadër të shndërrimit të këtij spitali në spital rajonal janë duke u përgatitur edhe Shërbimi i Mjekësisë Interne me dy pavione që do të mbulojnë: endokrinologjinë, gastro-hepatologjinë dhe nefrologjinë. Në mënyrë që pacientët të marrin një shërbim të plotë pranë spitalit tonë, do të shtohet edhe shërbimi i dializës. Ndërkohë që Poliambulatori i Specialiteteve ka nisur shërbimin. Së shpejti gjeografisë që ne do mund të mbulojmë do tu shtohen edhe pacientët e njësive bashkiake nr.2 dhe 5së. Çdo pacient i siguruar ka të drejtë të përfitoj falas nga shërbimi i ri, pasi financimi vjen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor(FSDKSH), i cili do jetë edhe financuesi i vetëm. Ne shpresojmë që ky ndryshim ti hap rrugën shndërrimit të
Spitalit Universitar Shefqet Ndroqi në Spital Rajonal për prefekturën e Tiranës, të cilës nga ana administrative dhe strukturore i ka munguar një i tillë", vazhdoi Dr.Bejtaj i cili thekson se është planifikuar që edhe sistemi i urgjencës së Tiranës një herë në javë të jetë i vendosur pranë spitalit "Sheqet Ndroqi".
" Spitali ka filluar procedurat e punësimit të mjekëve për të filluar shumë shpejt edhe shërbimet e tjera. Ne jemi në përfundim të proçedurave të kontraktimit të pajisjeve për reanimacionin e shërbimit të kardiologjisë invasive, koronarografisë dhe rezonancës magnetike, ndërkohë angioskaneri me 128 detektorë, aktualisht është i vetmi në Shqipëri, i është shtuar ekzaminimeve që kryen në spital duke rritur kështu kapacitetet për ofrimin e këtij shërbimi jo vetëm në QSUT por tashmë edhe në spitalin e në Tiranë", përfundon Dr. Bejtaj.