nën42014
Kuvendi i Shqipërisë, 79 vota pro projektligjit "Për shërbimin e urgjencës mjekësore"
Në seancën plenare të datës 30 Tetor, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projektligjin " Për shërbimin e urgjencës mjekësore", duke i hapur kështu rrugën ngritjes së një sistemi të unifikuar të urgjencës mjekësore në rang kombëtar. "Përmes këtij projektligji do të përmirësojmë shumë shërbimin e urgjencës mjekësore, i cili do të jetë sa më pranë qytetarëve shqiptar me standarde bashkëkohor,e efikasitet të shpejtë, të sigurt dhe me cilësi me qëllim shpëtimin e jetëve", tha z. Beqaj. "Kemi filluar nga puna për proçedurat e prokurimit për një helikopter të ri për sistemin tonë të Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter, për autoambulancat,të cilat do jenë 20 të tilla. Risi e sjellë sa i përket organizimit është ngritja e sistemit komandë të kontrollit të urgjencave mjekësore. Gjithashu po punohet për projekt/design-in e godinës ku do të jetë Qendra Kombëtare e Urgjencës, që është një nga angazhimet kryesore të programit të qeverisë në fushën e shëndetësisë.Njësia e koordinimit do të kontrollojë të gjithë sistemin. Koordinimi i urgjencave do të bëhet përmes një numri të njëjtë 112. Duke pasur një panoramë të qartë të shpërndarjes së autoambulancave në të gjithë vendin, do të bëjë të mundur dhe dërgimin në kohë të autoambulancës më të afërt", përfundoi ai.
Ndërsa në emër të grupit të LSI-së, z. Vasili gjatë diskutimit të projektligjit në Parlament tha: " Unë shpreh opinionin tim pozitiv për ligjin, i cili është i ekuilibruar, jep gjithë gamën e problematikave dhe mënyrën e orientimit të këtij sistemi në nivel kombëtar, gjë të cilën e kam shprehur edhe në Komisionin e Shëndetësisë, i cili ka qenë mjaft aktiv në shqyrtimin e ligjit, por edhe në një përmirësim besoj jo thelbësor që i është bërë atij, me përjashtim të një neni që unë e konsideroj thelbësor, siç ka qenë shtimi i nenit për personelin paramedikal, i cili për mënyrën sesi funksionon urgjenca, për kapilaritetin e saj, për vështirësitë e relievit dhe për njëmijë problematika të tjera që ajo ka, përbën sigurisht një zhvillim i cili është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i pazëvendësueshëm në pikëpamjen e prakticitetit".