News

shk262015

Deklaratat pas pezullimit të testimit të infermierëve

Testimi i infermierëve, i artikuluar nga Ministria e Shëndetësisë si një pasqyrim i dijeve dhe kompetencave të bluzave të bardha, është pezulluar nga Gjykata Administrative në një seancë të kryesuar nga gjykatësja Alkelina Gazidede. Gjykata mori parasysh ankimimin e kreut të Urdhrit të Infermierëve për pezullimin e vendimit numër 79 të ministrit të Shëndetësisë, i bërë publik më 12 shkurt.

Ndërkohë në deklaratat e tij për mediat presidenti i UISH-së, Sabri Skënderi, është shprehur se qëllimi i padisë ishte shfuqizimi i urdhrave të ministrit për zhvillimin e vlerësimit në kujdesin spitalor dhe testimit të infermierëve. "Gjykata vendosi pezullimin e urdhrit të ministrit, që për ne përkthehet në pezullim të testimit sepse testimi mbi bazën e urdhrit të ministrit do të zhvillohej. Pas gjykimit të çështjes në themel do të ketë një vendimmarrje tjetër. Me këtë vendim infermierët duhet të jenë më të qetë, por nuk duhet të flenë mbi dafina, duhet të punojnë më shumë për rritjen e nivelit profesional, sepse provim mbase nuk do të ketë por do të ketë vlerësim të punës së tyre. Ne do t'i shkojmë deri në fund mbrojtjes së të drejtës së tyre", shtoi z. Skënderi.

Menjëherë pas daljes së këtij vendimi, ministri Beqaj deklaroi se dikasteri që drejton e respekton vendimin e gjykatës dhe se përkohësisht nuk do të ketë testim për infermierët. Por ai përsëriti se askush nga bluzat e bardha nuk do të preket nga rezultatet e testimit. "Pas testimit nuk ndryshojnë marrëdhëniet e punës dhe e drejta e rritjes profesionale. Janë të drejta që dyshohet se do të ndryshojnë pas testimit, por nuk do të ndodhë kështu. Nuk ndryshon kontrata e punës, paga dhe e drejta e ushtrimit të profesionit", deklaroi Beqaj

Vendimi i gjykatës është mirëpritur edhe nga radhët e mjekëve ku ndër ta, Dr.Tritan Kalo është shprehur se vendimi i gjykatës është një fitore e vogël në kërkesat e bluzave të bardha. Testimi është konsideruar fyes dhe denigrues nga ana e këtyre të fundit, që përpos protestave kanë hartuar një peticion kundër ministrit të Shëndetësisë, i cili i është dorëzuar Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës.



Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>