News

shk42022

Trefishohet shifra e infermierëve që braktisin sistemin tonë shëndetësor. UISH: Trendi, tanimë, jo vetëm drejt Gjermanisë

Fillimet e pandemisë frenuan disi ikjen e bluzave të bardha, mjekë e infermierë, drejt Gjermanisë, për shkak se u vështirësuan lëvizjet, ndërkohë që kërkesa ishte e madhe nga shumë vende të BE-së. Punonjësit e shëndetësisë duhet të kenë licencë nga Urdhri përkatës në Shqipëri, para se të nisen drejt destinacioneve që preferojnë.
Pranë Urdhrit të Infermierit, gjatë vitit 2019, janë pajisur me dokumentacion 419 vetë, duke shënuar një rënie gjatë vitit 2020. Ndërsa, në vitin 2021, shifra e atyre që u pajisën me licencë për të braktisur sistemin tonë shëndetësor e për t'u punësuar në vende të BE-së pothuajse është trefishuar.

"Për shkak se nuk udhëtonin dot, shifra e infermierëve që u pajisën me licencë ra në 370, ndërsa gjatë vitit 2021, e kanë kërkuar licencën 1100 vetë. Në këtë shifër tanimë nuk janë vetëm infermierët, por edhe fizioterapistë, radiologë e laborantë", shpjegon presidentja e Urdhrit të Infermierit, Blerina Duka.
Znj. Duka shpjegon se tanimë nuk preferohet vetëm Gjermania. Shumë prej bluzave të bardha që kërkojnë të ikin, synojnë Anglinë, pasi ajo ofron paga më të larta edhe se Gjermania.

"Ka të tjerë që preferojnë Italinë, pasi licenca është njehsuar nëpërmjet një marrëveshjeje dhe Italia i punëson pa i futur me parë në provim, sikundër ka të tjerë që punojnë si fillim në Evropë, vetëm për të marrë një dokument e më pas kalojnë në Norvegji dhe në Suedi", shpjegon presidentja e UISH-së.

Infermierët e fizioterapistët, por edhe radiologët shqiptarë largohen në radhë të parë për paga më të larta e më pas, për kushte më të mira pune. Kjo ikje e bluzave të bardha ka krijuar në sistemin tonë shëndetësor boshllëqe që mbushen me studentë të cilët sapo kanë përfunduar studimet.


Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>