shk82022
Urdhri i Infermierit: Të frenohet eksodi i infermierëve, duke i detyruar me kontrata, që 5 vjet të kontribuojnë në vendin e tyre
Ikja e infermierëve, fizioterapistëve, radiologëve dhe laborantëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian ka krijuar boshllëqe në sistemin tonë shëndetësor, pasi shifra e të ikurve vetëm gjatë vitit 2021, është trefishuar. Urdhri i Infermierit kërkon që infermierët të mos pengohen për të ikur, por të paktën të detyrohen nëpërmjet një kontrate që për disa vjet të punojnë në vendin e tyre.
"Ikja e bluzave të bardha është fenomen në të gjithë botën, por të paktën të frenohet disi. Ministria e Shëndetësisë duhet të lidhë kontrata me infermierët që në përfundim të studimeve ata të detyrohen të kontribuojnë për 5 vjet në vendin e tyre. Tek e fundit, nuk kemi pse paguajmë taksa ne të gjithë për shkollimin e tyre dhe ata të largohen jashtë", shprehet presidentja e Urdhrit të Infermierit, zonja Blerina Duka.
Për autoritetet tona shëndetësore, ky nuk duket fenomen shqetësues, pasi justifikohen që infermierë ka. Burime nga ministria e Shëndetësisë thonë se në portalin e infermierit ka shumë infermierë që kanë aplikuar dhe janë në pritje për t'u punësuar. Por, në fakt, ajo që duket shqetësuese është se ikin infermierë të kualifikuar e zëvendësohen me infermierë që sapo kanë përfunduar studimet, ndërkohë që teoria me praktikën, shpesh, janë larg njëra-tjetrës. Megjithatë, në lidhje me këtë, presidentja e UISH-së është optimiste.
"Ata që janë në pritje, vërtet janë studentë që sapo kanë përfunduar, por kanë dalë me rezultate të shkëlqyera. Janë ata të cilët nuk kanë kapur degët Mjekësi apo Farmaci, ndaj nuk duhet menduar se ata janë të paaftë", thekson zonja Duka.
Vetëm gjatë vitit të parë të pandemisë pati një frenim të eksodit të bluzave të bardha, por në kushtet e rritjes së kërkesave nga vende të Bashkimit Evropian, edhe kërkesat e infermierëve për të ikur, sa vijnë e rriten.
Alma Demiraj