shk212017
Implanti koklear. Dr.Besim Boci: Nga 27 mijë euro në privat, tani falas në QSUT
Fëmijët që kanë probleme të theksuara me dëgjimin, tanimë mund të kryejnë implantin koklear falas në Shërbimin Orl në QSUT. Sapo e kanë kryer këtë ndërhyrje kirurgjikale falas tre fëmijë, kostoja e secilës nëse do të kryhej në spital privat do të ishte afro 27 mijë euro. Sipas shefit të Orl-së, Dr.Besim Boci kjo është një arritje e madhe për qendrën më të madhe spitalore në ndihmë të pacientëve. ''Implanti koklear është një ndërhyrje që indikohet në fëmijët me shurdhësi të thellë dhe që nuk përfitojnë me asnjë ndihmesë tjetër dëgjimi, proteza akustike le të themi. Sigurisht që është një nga operacionet që kërkon infrastrukturën e duhur në sallën e operacionit. Janë realizuar dy ndërhyrjet e para dhe fëmijët janë në gjendje shumë të mirë, janë në shërbim, nuk kanë pas asnjë ndërlikim gjatë ndërhyrjes", u shpreh Dr.Boci.
Implanti koklear është një pajisje e kompjuterizuar që kthen dëgjimin te personat me humbje të thella të dëgjimit apo siç quhet ndryshe shurdhim nervor.
Drejtorja e QSUT-së, Ogerta Manastirliu, thotë se ky ishte një objektiv që ishte në planet e QSUT-së për vitin 2017 dhe që sipas saj u bë i mundur që në muajt e parë të vitit. Pas paketës së kardiologjisë, dializës, transplantit të veshkave edhe implanti koklear është ndër paketat që do të ofrohet falas në shërbimet spitalore shtetërore. Përllogariten që të jenë rreth 30 raste në vit që kanë nevojë për këtë ndërhyrje kirurgjikale.
Alma Demiraj