jan292024
Autonomia spitalore. Marrin kartën, QSUT-ja, spitali i Durrësit, i Vlorës, i Lezhës dhe i Shkodrës
Pacientët që kanë nevojë për konsultë me mjekë të spitaleve në QSUT, ose të katër spitaleve që morën kartën e Autonomisë, por që nuk duan të presin derisa t'u vijë radha sipas planifikimit nga sistemi i referimit, ose që kanë një mjek të preferuar, mund ta bëjnë atë kundrejt një tarife të caktuar që do të përcaktohet nga bordi drejtues i QSUT-së. Kjo funksionon në orët e pasdites dhe vetëm me ata mjekë, të cilët lidhin kontratë me spitalin për të ofruar shërbim në mënyrë private. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, shpjegoi se kjo u jep mundësi të gjithë mjekëve të rinj të rrisin të ardhurat e tyre.
"Është një mundësi e mirë jo vetëm për mjekët e rinj, por edhe për këdo që do të lidhë kontratë me spitalin. Ata do të marrin para shtesë nga tarifa që do të përcaktohet nga bordi drejtues i spitalit (p.sh. në spitalin Memorial të Fierit është vendosur që 70% e merr mjeku dhe 30% e tarifës shkon për spitalin). Megjithatë, çdo bord do ta përcaktojë vetë tarifën", u shpreh zëvendësministrja Rakacolli.
Jo të gjithë mjekët do të lidhin kontratë, pasi mund të ketë nga ata të cilët në orët e pasdites shkojnë në klinikat e tyre private. Autonomia spitalore u jep të drejtë spitaleve të gjenerojnë të ardhura duke lidhur kontrata me kompani sigurimi, apo subjekte të tjera, çka pritet të vendosë më shumë barna apo pajisje bashkëkohore në shërbim të pacientëve.
"Është bordi drejtues ai i cili vendos se ku do të shkojnë të ardhurat që gjenerohen, pasi janë mjekët ata të cilët do të vendosin dhe përcaktojnë se ku ka nevojë të investohet. Gjithashtu, ata mund të lidhin kontrata me mjekë me kohë të pjesshme. Ka shumë avantazhe", u shpreh Rakacolli.
Si fillim, QSUT-ja, spitali i Durrësit, i Shkodrës, i Lezhës dhe i Vlorës kanë fituar autonomi menaxheriale dhe pritet që pas dy vitesh të fillojë edhe autonomia e tyre financiare, por nëse në dy vite nuk arrihen treguesit e duhur, këto spitale e humbin të drejtën e autonomisë menaxheriale.
Alma Demiraj