maj52022
Spitalet publike drejt autonomisë financiare. Miratohet projektligji, spitalet duhet të gjenerojnë fonde
Spitalet publike pritet të përfitojnë autonominë financiare dhe menaxheriale. Ato duhet të sigurojnë të ardhura vetë dhe tenderat e tyre nuk do t'i zhvillojë më Ministria e Shëndetësisë.
"Spitalet, tanimë, përsa i përket menaxhimit, shkëputen nga Ministria dhe përveç të ardhurave që sigurohen nga buxheti i shtetit, duhet të gjejnë mënyra për të gjeneruar të ardhura që t'i përdorin për t'u zhvilluar më tej dhe për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve", shprehet drejtoresha e Politikave të Shërbimit Spitalor, zonja Flutura Beqo.
Me autonominë spitalore, mjeku mund t'i rrisë vetë të ardhurat e tij, një pjesë e të cilave shkojnë edhe për spitalin. Në projektligj parashikohet që pas orarit zyrtar, mjeku mund t'i shfrytëzojë ambientet e spitalit publik për të ofruar shërbim ndaj pacientit i cili duhet të paguajë një tarifë të caktuar të cilën e përfiton mjeku. Po kështu, pacienti që nuk dëshiron të ndjekë sistemin e referencës, por kërkon edhe ta zgjedhë mjekun, mund ta marrë shërbimin në orët e pasdites. Por, për të fituar kartën e autonomisë, spitalet publike duhet të plotësojnë disa kritere përsa i përket aparaturave dhe cilësisë së shërbimit.
"Si fillim do të pilotohet me spitalin memorial të Fierit. Më pas do të vijohet me spitalet të tjera në QSUT, apo edhe spitalet rajonale. Nuk do të nisin të gjitha njëherësh sepse duhet të zbatojnë kritere të cilat do të jenë të përcaktuar me akte nënligjore", shprehet zonja Beqo.
Autonomia financiare pritet të rrisë cilësinë e shërbimit ndaj pacientit pasi tanimë do t'i duhet të konkurrojnë me njëri-tjetrin edhe shërbimet brenda një spitali. Por, po kështu, edhe me spitalet jo publike, pasi mjekët aktualisht pas orarit zyrtar në publik rendin drejt klinikave private për të rritur të ardhurat e tyre.
Lexo këtu projektligjin.
Alma Demiraj