News

dhj202017

Rritet numri i vdekjeve të lidhura me gripin stinor

tags: grip, epidemi

Çdo vit, në botë vdesin 291.000 - 646.000 njerëz për shkak të sëmundjeve respiratore të lidhura me gripin stinor, një numër në rritje, sipas vlerësimeve të reja të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA, publikuar në "Lancet". Vlerësimet janë përllogaritur duke përdorur të dhëna që vijnë nga 47 vende, në periudhën 1999-2015 dhe që përjashtojnë vdekjet gjatë pandemive.
"Më të goditurit kanë qenë të rriturit mbi 75 vjeç dhe ata nga vende me të ardhura të ulëta në Afrikën nënsahariane dhe në Juglindjen aziatike", nënvizon Danielle Iuliano, nga Divizioni i Gripit i CDC-së në Atlanta, autor kryesor i studimit. Vlerësimet e fundit në lidhje me vdekshmërinë për shkak të gripit në rang botëror, janë bërë më shumë se dhjetë vjet më parë, pa paraqitur detaje mbi metodat e përdorura për mbledhjen e të dhënave. Tashmë, shumë vende janë në gjendje të përllogarisin numrin e vdekjeve të lidhura me gripin stinor dhe pikërisht për këtë arsye, të dhënat e reja përfshijnë shtresëzime moshore e vendesh.
Autorët kanë zbuluar se normat mesatare të vdekshmërisë në këto fasha moshore ishin: 0,1 -6,4 për 100.000 vetë nën 65 vjeç, 2,9 - 44 çdo 100.000 vetë 65-74 vjeç dhe 17,9-223,5 çdo 100.000 vetë me moshë më të madhe se 75 vjeç. Normat më të larta të vdekshmërisë janë vënë re në Afrikën nënsahariane (2,8-16,5 për 100.000 vetë) dhe në Juglindjen aziatike (3,5-9,2 për 100.000 vetë).
«Këto rezultate na kujtojnë ashpërsinë e gripit dhe faktin që parandalimi duhet të jetë një prioritet botëror", nënvizon në një deklaratë për shtyp Joe Bresee, i CDC-së, bashkautor i studimit. Sheena Sullivan, nga Instituti "Peter Doherty" për Infeksionet dhe Imunitetin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Melburn, Australi, shpjegon se janë veçanërisht të nevojshme statistikat për çdo vend.
"Shpesh, nuk janë të disponueshme vlerësime të vdekshmërisë për vende me të ardhura të mesme-të ulëta, ku infrastrukturat shëndetësore janë të kufizuara dhe kërkesat e lidhura me sëmundje të tjera të transmetueshme ose jo, mund të mbizotërojnë në shpërndarjen e burimeve të destinuara për shëndetin", përfundon ai.


Lancet 2017. Doi: 10.1016/S0140-6736(17)33293-2
http://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(17)33293-2/fulltext

Lancet 2017. Doi: 10.1016/S0140-6736(17)33292-0
http://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(17)33292-0/fulltext


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>