shk42020
Shqipëria i afrohet pragut të epidemisë së gripit
Ndonëse shumë vende janë alarmuar për shkak të coronavirusit, mjekët tanë infeksionistë u bëjnë apel qytetarëve të ruhen më shumë nga gripi sesa nga virusi i ri.
Shqipëria po i afrohet pragut të epidemisë së gripit, pasi edhe sipas Institutit të Shëndetit Publik ka një rritje të shpejtë të rasteve të prekura nga viruset e gripit AH1N1, AH3N2 dhe virusi B. Por, në popullatë mbizotëron AH1N1. Kjo rezulton edhe në kopshte, shkolla e çerdhe, ku numri i fëmijëve që i frekuentojnë pothuajse është përgjysmuar për shkak se janë prekur nga gripi dhe virozat e shumta që qarkullojnë. Por, siç duket edhe në grafikun e buletinit të ISHP-së, që i referohet javës së katërt të muajit janar (20 deri më 26 janar), krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i të prekurve është rritur me 4%.
Grafiku i Institutit të Shëndetit Publik
Gjatë kësaj jave, pra, në janar 2020, janë raportuar 19.433 të prekur, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2019, janë raportuar të prekur 18.750 vetë, pra, pothuajse 700 raste më shumë. Aktualisht jemi në javën e parë të muajit shkurt dhe numri i të prekurve nisur nga prirja, është edhe më i lartë, por pragu i epidemisë shpallet vetëm nga ISHP-ja. Edhe pse jemi në këtë situatë, në urgjencën e shërbimit të pediatrisë ofrojnë shërbim mjekësor vetëm dy mjekë që kryejnë mbi 300 vizita mjekësore gjatë 24 orëve, pra, mbi kapacitetin njerëzor.
Alma Demiraj