jan112019
Izolohen rastet e para me grip. Ekspertët: vaksinohuni, këtë vit qarkullon Ah1N1
Laboratori i Institutit të Shëndetit Publik konfirmon se në vendin tonë aktualisht po qarkullon virusi AH1N1. Janë izoluar në laborator vetëm 4 rastet e para këtë javë.
"Ndonëse në këtë periudhë të viteve të kaluara kemi qenë në pikun e epidemisë së gripit, këtë vit, virusi i gripit ka qarkulluar më vonë, bashkë me shumë viroza stinore. Ne kemi izoluar AH1N1, i cili është ish-virusi pandemik që ka qarkulluar edhe vite më parë në popullatë dhe kemi një mbrojtje ndaj tij", shprehet Silbva Bino, eksperte e sëmundjeve infektive.
Virusi AH1N1 shfaq simptoma të njëjta me viruset e tjera, si: dhimbje koke, dhimbje muskulare të forta, kollë të thatë. Ekspertët e ISHP-së po shqyrtojnë format e shfaqjes së këtij virusi në popullatë, pasi me kalimin e kohës, ato pësojnë mutacione dhe japin komplikacione.
"Nuk kemi ende virus B, por edhe mund të qarkullojë. Për momentin, po shohim nëse ish-virusi pandemik ka pësuar mutacione, por ajo që u kërkoj qytetarëve e personelit është të vaksinohen. Vaksina mund të bëhet në çdo kohë. Ajo bën që edhe nëse preken nga virusi, të mos kalojnë forma të rënda të tij", shprehet Bino.
Personat që kanë sëmundje kronike, si: diabet, probleme pulmonare apo kardiake dhe janë obezë, janë të prirur të kenë komplikacione nëse preken nga virusi i gripit, ndaj sipas ekspertëve, ata duhet të rendin të bëjnë vaksinën e gripit.
Alma Demiraj