pri192018
Konferenca Kombëtare e Shkencave Mjekësore 5, hap dyert për profesionistët e shëndetit.
Prezantime nga lektorë shqiptarë, të huaj dhe nga studentë në 8 salla paralele, për tre ditë me radhë. Kredite, libra dhe informacionet më të fundit në fushën e mjekësisë...
Në datat 20-22 Prill 2018, në ambientet e Hotel Tirana International në Tiranë, do të zhvillohet Konferenca Kombëtare e Shkencave Mjekësore 5. Konferenca vjen e organizuar nga KSUMT, në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë Tiranë, Fakultetin e Mjekësisë, Fakultetin e Mjekësisë Dentare, Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike, Urdhrin e Farmacistit, Urdhrin e Infermierit, Urdhrin e Mjekut, Urdhrin e Stomatologut, Organizatën Brainstorm, Universitetin Aldent, Universitetin "Albanian University", Universitetin ZKM dhe e mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza".
Konferenca zhvillohet në vazhdën e një tradite tashmë 5-vjeçare, ku do të prezantohen punime nga të gjitha fushat e profilet mjekësore, me lektorë nga Shqipëria dhe nga vende të ndryshme si Amerika, Italia, Gjermania, Turqia, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia. Përveç prezantimeve të pedagogëve dhe kërkuesve shkencorë, në këtë event do të referohen edhe punime të realizuara nga studentët nën drejtimin e pedagogëve të tyre.
Konferenca do të zhvillohet në 3 ditë dhe do të jetë e ndarë në 8 salla paralele, ku do të ketë:
1. Prezantime nga profesorë dhe profesionistë të specialiteteve të ndryshme (200 referime)
2. Prezantime nga studentë të udhëhequr nga pedagogët (50 referime)
3. Prezantime individuale në poster (100 prezantime)
Katër janë degët kryesore ku do të përqendrohet prezantimi i temave shkencore: Fakulteti i Mjekësisë, Departamenti i Farmacisë, Fakulteti i Mjekësisë Dentare dhe Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike.
Aktiviteti është në proces akreditimi dhe do të përfshijë 22 kredite për pjesëmarrësit pasivë dhe 44 kredite për pjesëmarrësit aktivë.
"LIFE", e para shtëpi botuese në Shqipëri e specializuar në fushën e profesionistëve të shëndetit, e cila ka lindur nga një bashkëpunim me EDRA LSWR, do të jetë e pranishme në panairin që zhvillohet në ambientet e Konferencës.
Në stendën e saj, profesionistët e mjekësisë do të gjejnë libra mjekësorë të shtëpive botuese më prestigjioze ndërkombëtare, të sjella në shqip nga botimet LIFE, ashtu si edhe libra mjekësorë të të gjitha fushave, që vijnë në Shqipëri në anglisht dhe italisht.
Tashmë, të gjithë profesionistët e shëndetit kanë librarinë e tyre të dedikuar në Shqipëri dhe do të mund ta vizitojnë atë gjatë të gjitha ditëve të konferencës. Pranë stendës së LIFE, pjesëmarrësit do të informohen gjithashtu për kurset e edukimit në distancë, për botimet e fundit në fushën e mjekësisë, si dhe mund të porositin libra që janë të nevojshëm për përgatitjen e tyre profesionale.